Ndërlidhjet

DASH: Al-Kaida, Irani në raportin e terrorizmit


Në raportin më të ri të Departamentit amerikan të shtetit, thuhet se rrjeti Al-Kaida, duke i shfrytëzuar territoret fisnore në Pakistan, paraqet kërcënimin më të madh terrorist ndaj Perëndimit, ndërsa Irani, përshkruhet si "sponsorizuesi më aktiv shtetëror i terrorizmit".

Në raportin vjejtor, të publikuar mbrëmë në Uashington, thuhet se, përderisa numri i sulmeve terroriste në mbarë botën ka shënuar rënie, sulmet e këtilla janë shtuar në Pakistan. Gjatë këtyre sulmeve në vitin 2008, në këtë vend, janë vrarë 2293 vetë.

Në pjesën e raportit për Kosovën, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme dyshon se disa nga më shumë se 1,000 organizatat joqeveritare, që veprojnë në Kosovë, janë përfshirë në aktivitete të dyshuara dhe përpjekjet synojnë që t'i parandalojnë ekstremistët të shfrytëzojnë OJQ-të si baza të tyre.

“Disa OJQ kanë shfrytëzuar hapësirat publike për tubime fetare, por autoritetet në Kosovë dhe komunat kanë bërë përpjekje të parandalojnë përdorimin e këtyre hapësirave për ngjarjet që nuk e kishin bekimin e komuniteteve përkatëse fetare”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu vë në pah faktin se kufijtë e brishtë, që janë lehtësisht të kalueshëm nga individët, që trafikojnë njerëz, armatim dhe narkotikë, kanë penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit.
XS
SM
MD
LG