Ndërlidhjet

“Diplomacia e vonuar”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Konsolidimi i diplomacisë kosovare është një nga temat që shqyrtohet nga shumica e gazetave të sotme. “Diplomacia e vonuar” është titulli në gazetën “Lajm”, ku, mes tjerash, thuhet se për 18 misione diplomatike të Kosovës në botë deri tash janë intervistuar 35 kandidatë, ndërkohë që duhet të intervistohen edhe 93 konkurrentë të tjerë për ambasadorë.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se ky proces po shkon mirë, kurse opozita vlerëson se ky është procesi më i ngadalshëm dhe më i vonuar deri tani, shkruan “Lajm”.

Sipas kësaj gazete, bazuar në dinamikën e deritashme, procesi i përzgjedhjes së ambasadorëve dhe sekretarëve të parë të ambasadave mund të zgjasë edhe dy vjet.

Ndërkaq, gazeta “Zëri” shkruan se deri më tash paneli gjashtëanëtarësh ka intervistuar kandidatët për ambasadorë në Austri, Belgjikë dhe Bullgari, kurse nga fundi i javës pason intervistimi i konkurrentëve për Kroaci.

Sipas “Zërit”, procesi i intervistimit mund të kryhet deri në fund të majit, prej nga më pas çështja i kalohet Kuvendit dhe përfundimisht presidentit të Kosovës, që të vendosë për 18 ambasadorët e parë të Kosovës në botë.

Shtypi kosovar e ka vlerësuar shumë pozitivisht pranimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gazeta “Express” shkruan se shtetet më të fuqishme botërore e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në FMN.

“Pranimi shënon hapjen e dyerve për Kosovën në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare. Përveç rëndësisë së madhe ekonomike, ky sukses fuqizon subjektivitetin e shtetit dhe vendit tonë”, shkruan "Express".

Ndërkaq, “Koha Ditore” shkruan se anëtarësimi në FMN i siguron Kosovës një qasje në ndihmat ekonomike shtesë, sikurse edhe siguri më të madhe për investitorët potencialë, përderisa gazeta “Zëri” shkruan se hapi tjetër është anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore.

Votimi për anëtarësim në Bankën Botërore ka filluar dhe se rezultatet do të dihen më 3 qershor, nëse Kosova do të pranohet edhe në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, shkruan “Zëri”.

Gazeta “Kosova sot” paralajmëron formimin e një partie të re politike në Kosovë. Bëhet fjalë për nismën e analistit të njohur kosovar, Ramush Tahiri, i cili i ka thënë gazetës se iniciativa për këtë parti ka lindur nga Prishtina dhe Gjakova.

“Kemi një aktivitet 5-mujor dhe janë krijuar ekipet nëpër 7 qendra të Kosovës. Kurse, konventa do ta ketë kuvendin themelues në qershor”, ka deklaruar për “Kosova sot”, Ramush Tahiri.
XS
SM
MD
LG