Ndërlidhjet

Ushtari që furnizoi Wikileaks-in, i gatshëm për gjyq


Ushtria amerikane ka njoftuar se ushtari që akuzohet se ka marrë mijëra dokumente sekrete amerikane që më pas u publikuan nga Wikileaks, konsiderohet zyrtarisht kompetent që të paraqitet në gjyq.

Zëdhënësi i ushtrisë, Geri Tallman, ka thënë se një panel i ekspertëve ka përfunduar evaluimin mendor dhe mjekësor të ushtarit, Bredli Mening, më 22 prill, dhe ka informuar zyrtarët ushtarakë të premten për vlerësimin se ai është në gjendje që të paraqitet në gjyq.

Zëdhënësi ka shtuar se nuk ka ende datë për seancë gjyqësore paraprake për këtë rast. Mening është akuzuar se në mënyrë ilegale ka marrë mijëra dokumente të ushtrisë dhe diplomacisë amerikane që më pas u publikuan nga Wikileaks. Mening mund të marrë dënim me vdekje apo dënim të përjetshëm nëse shpallet fajtor se ka ndihmuar një armik të SHBA-ve.

Mening së fundi është transferuar nga një burg i Korpusit të Marinës në afërsi të Uashingtonit në një objekt të ri në shtetin qendror amerikan të Kanzasit.
XS
SM
MD
LG