Ndërlidhjet

Analistët: Ivanov të mos luajë me raportet ndëretnike


Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, duhet të punojë shumë në ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, por edhe në ngritjen e marrëdhënieve me vendet fqinje, e në veçanti me Kosovën, presidenti i së cilës nuk ishte ftuar në inaugurimin e tij.

Jeton Shasivari, analist politik, thotë se mungesa e opozitës shqiptare në seancën e inaugurimit të Ivanovit, nënkupton më shumë përgjegjësi për presidentin e ri.

“Mbi bazën e këtyre rrethanave mund të konstatohet se në të ardhmen e afërt një veprim i tillë do të ketë reflektim negativ në dialogun politik dhe ndëretnik mes dy komuniteteve më të mëdha, mes atij shqiptar dhe maqedonas, dhe aq më tepër nëse kihet parasysh se Maqedonia, kohëve të fundit, ka filluar procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë".

"Maqedonia gjithashtu ka raport neutral ndaj procesit gjyqësor që zhvillohet në Hagë rreth pavarësisë së Kosovës dhe mendoj se kjo shënon një kthim prapa në procesin për të cilin të gjithë në Maqedoni dhe rajon menduan se filloi për së mbari, por tani shihet se prioritet strategjik për Maqedoninë në rajon është Serbia dhe interesat e saj”,
tha Jeton Shasivari.

Ndërsa, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Naser Zyberi, thotë se në ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend, rol të padiskutueshëm ka edhe qasja e institucioneve shtetërore, përfshirë edhe presidentin Ivanov ndaj raporteve me fqinjët.

Ai, thotë zoti Zyberi, duhet të jetë real dhe t’i kuptojë rrethanat e reja, se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe se çdo anashkalim që mund t’u bëhet institucioneve të atjeshme, reflektohet edhe në raportet ndëretnike brenda në Maqedoni.

“Maqedonia, në fakt, asnjëherë nuk ka pasur politikë reale... ajo gjithmonë ka pasur marrëdhënie asimetrike me fqinjët e saj. Mosftesa për presidentin e Kosovës në inaugurimin e presidentit Ivanov është vetëm një vazhdimësi e një politike, e cila ka raporte të ngushta me Serbinë dhe Bullgarinë, kurse me Kosovën, Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë ka raporte shumë të distancuara”, deklaroi Zyberi.

Nga ana tjetër, Avzi Mustafa, profesor universitar, thotë se vazhdimi i kësaj politike mund t’i sjellë vetëm probleme Maqedonisë, e cila edhe ashtu ka probleme shumë të mëdha me fqinjin e saj jugor, Greqinë. Shkupi, sipas zotit Mustafa, është koha që të punojë për forcimin e raporteve me fqinjët e tij, pasi, në të kundërtën, do të pësojë vetë.

“Mbetem përsëri me shpresë se marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë dhe Kosovës do të rregullohen, ashtu siç ka hije në të mirën e të dy popujve dhe për faktin se një numër i madh apo një e treta e popullatës së Maqedonisë janë shqiptarë, dhe kjo duhet të jetë ajo që do t’i avanconte marrëdhëniet mes dy shteteve”,
pohoi Mustafa.

Në seancën e inaugurimit të Ivanonit ishin të pranishëm dy presidentë të shteteve fqinje të Maqedonisë, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ai i Serbisë, Boris Tadiq; munguan presidentët e Greqisë dhe Bullgarisë, ndërsa nuk ishte ftuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Mungesa e këtij të fundit shkaktoi kritika të shumta nga partitë opozitare shqiptare dhe organizatat joqeveritare.
XS
SM
MD
LG