Ndërlidhjet

Bajden arriti në Sarajevë


Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, dhe ministri i Jashtëm i Bosnjës, Sven Alkalaj, në Aeroportin e Sarajevës, 19 maj '09.
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, dhe ministri i Jashtëm i Bosnjës, Sven Alkalaj, në Aeroportin e Sarajevës, 19 maj '09.

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, sot në mëngjes ka arritur në Sarajevë, duke filluar kështu turneun treditor në vendet ballkanike. Në kryeqendrën e Bosnjës, ai shoqërohet nga shefi për politikë të Jashtme i BE-së, Havier Solana.

Nënpresidenti Bajden u takua me anëtarët e kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa në takim mori pjesë edhe shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Javier Solana, i cili gjithashtu po qëndron në Sarajevë.

Të gjitha takimet janë zhvilluar prapa dyerve të mbyllura.

Para takimit me zyrtarët më të lartë vendorë, nënpresidenti amerikan bisedoi me Përfaqësuesin e Lartë në BeH, Valentin Incko, kurse do të ketë takime të ndara edhe me udhëheqës tjerë politikë, përfshirë kryeministrin e Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, dhe anëtarin e Kryesisë së BeH, Haris Silajxhiq.

Gjatë pasditës, Bajden do të mbajë një fjalim në Parlamentin e këtij vendi.

Të mërkurën, nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, viziton Serbinë, ndërsa të enjten Kosovën.

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me autoritetet qendrore dhe do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës. Ai pritet të vizitojë dhe Manastirin e Deçanit.

Vizita e nënpresidentit Bajden në Kosovë do të përfundojë më 22 maj.

Ndërkohë, në Beograd janë ndaluar të gjitha tubimet publike gjatë vizitës së nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar se vendimi për ndalimin e tubimeve është marrë “në bazë të qëndrimit të përbashkët të organeve shtetërore, shërbimeve të sigurisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
XS
SM
MD
LG