Ndërlidhjet

Sfidat e EULEX-it në veri


Pjesëtarë të misionit EULEX
Pjesëtarë të misionit EULEX

Veprimet e EULEX-i në veri për të forcuar sundimin e ligjit, përcillen me protesta nga serbët lokalë. EULEX thotë se s'do heqë dorë nga mandati që ka. Serbët kërkojnë që EULEX t’i konsultojë paraprakisht për çdo veprim.


Rritja e masave të kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 nga ana e doganierëve të EULEX-it ka shtyrë qindra serbë lokalë, të premten, të bllokojnë për një orë rrugën magjistrale në Zubin Potok.

EULEX-i, kohët e fundit, ka nisur që, përveç regjistrimit të mallit, vozitësve që kalojnë në pikat 1 dhe 31, t’ua fotokopjojë dokumentet.

Analistët vlerësojnë se meqë malli që kalon nga Serbia në Kosovë nëpërmjet këtyre dy pikave vetëm regjistrohet dhe nuk zhdoganohet, në të shumtën e rasteve, me të hyrë në pjesën veriore, ai përfundon si mall i kontrabanduar.

Kjo edhe ka shtyrë EULEX-in që të ndërmarrë masa shtesë. Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, shpjegon:

“Natyrisht që njerëzit kanë të drejtë demokratike për të shprehur opinionet e tyre përmes protestave paqësore. Me sa kam kuptuar, protesta e fundit ka të bëjë me masat e zbatuara në portën 1 dhe 31, edhe pse këto masa janë ndërmarrë në koordinim të ngushtë me Doganat e Kosovës, por edhe me ato të Serbisë, duke i informuar ata për hapat që i ndërmarrim”.

“Dhe, të gjithë këta hapa, në fakt, janë ndërmarrë për të ulur kontrabandën dhe krimin e organizuar lart në veri. Kjo është për të mirën e të gjithëve, për Serbinë, për Kosovën, por edhe për njerëzit që jetojnë në veri”,
tha Limdal.

Por, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se protestat e tilla marrin shkas nga mosbashkëpunimi i EULEX-it me serbët lokalë.

“Sa i përket kufirit apo kontrollimeve në kufi, duhet të lajmërohemi përpara dhe të mos shkaktohet befasi. Asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë hapa që do ta befasojnë palën tjetër. Vetëm në këtë formë mund të llogarisim në partneritet”,
tha Ivanoviq.

Shtrirja e misionit evropian për sundimin e ligjit, vitin e kaluar, nuk është pritur mirë në pjesën veriore të Kosovës.

Edhe pse drita jeshile për vendosjen e tij qe dhënë nga Beogradi zyrtar, ka pasur disa raste sulmesh ndaj EULEX-it në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, siç ishte para disa kohësh edhe djegia e veturave të këtij misioni.

“Të gjithë e dimë se ka aktivitete kriminale në veri. Nuk do të isha e befasuar nëse këto elemente kriminale janë të ndërlidhura me aktet kundër EULEX-it”, thotë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, e cila, pavarësisht kësaj, vlerëson se raportet mes këtij misioni dhe serbëve janë në nivel të duhur.

Siç dihet, ne kemi ardhur në Kosovë që të ndihmojmë në përmirësimin e rendit dhe ligjit për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu. Ne jemi në kontakte me komunitetin serb, me liderët e tyre”, pohon Limdal.

Në mesin e politikanëve serbë në veri, ka të tillë që ende e trajtojnë si legal vetëm UNMIK-un, mision ky që është në përfundim të konfigurimit.

Vetë shefi i UNMIK-ut, kohë më parë, ka pranuar se misioni vazhdon të jetë më i koncentruar në mjediset e banuara me shumicë serbe. Por, pas rikonfigurimit të plotë, ky përqendrim duket se do të ulet.

“Siç e ka thënë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, ne do të veprojmë në ato fusha ku kemi hapësirë veprimi dhe ku mund të ndihmojmë që proceset të lëvizin përpara. Të bëjmë të qartë se prania jonë nga 1 korriku nuk do të jetë e fokusuar në asnjë zonë gjeografike, apo te komunitetet etnike”.

“Megjithatë, është e natyrshme për UNMIK-un që të luajë një rol dhe të ndihmojë që të lëvizë përpara proceset në zonat e banuara me komunitetet pakicë, përfshirë këtu edhe serbët e Kosovës”,
thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Por, bazuar në deklaratat e politikanëve serbë, ata nuk janë të kënaqur as me EULEX-in e as me UNMIK-un.

“Në parim, nuk shohim ndonjë dallim në mes të Policisë së EULEX-it dhe asaj të UNMIK-ut. Me Policinë e UNMIK-ut nuk kemi qenë të kënaqur, sepse nuk kanë zgjidhur asnjë krim që është bërë mbi serbët”.

“Por, edhe EULEX-i nuk është mision plotësisht i qartë dhe nuk duhet habitur nga reagimet e serbëve lokalë. Raporti me ta do të varet nga ajo se sa do të kenë sukses në zgjidhjen e asaj që ne e quajmë vitale”,
thotë Oliver Ivanoviq.

Ndryshe, fusha e sundimit të ligjit, për mbikëqyrjen e së cilës është i mandatuar EULEX-i, edhe sipas vetë zyrtarëve kosovarë, lë shumë për të dëshiruar në pjesën veriore, ku ende funksionojnë strukturat paralele serbe.

Shpërbërjen e tyre nuk mundi ta bëjë UNMIK-u gjatë pothuaj 10 vjetëve të administrimit në Kosovë, ndërsa nuk duket ndonjë sinjal për një hap të tillë as nga EULEX-i, që zbarkoi në Kosovë para pesë muajsh.
XS
SM
MD
LG