Ndërlidhjet

BE-Rusi: Dallime strategjike


Samiti Bashkimi Evropian - Rusi, i cili përfundoi të premten në Kabarovsk të Rusisë, ka vënë në pah thellimin e mospajtimeve ndërmjet dy palëve dhe ka ndërlikuar raportet ndërmjet tyre. Liderët evropianë dhe rusë kishin qëndrime të kundërta rreth çështjeve kryesore, si siguria, energjia dhe tregtia - tema aktuale me të cilat po ballafaqohen Rusia dhe BE-ja.


Bashkimi Evropian dhe Rusia, në këtë fazë, nuk pajtohen në gjërat substanciale. Ajo që po shfaqet është jo parteriteti strategjik, por thellimi i ndarjeve strategjike.

Tensionet ishin shumë të larta kur u bë fjalë për ndikimin e palëve në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Rusia, e cila akoma e cilëson rajonin si pjesë të ndikimit të saj, e konsideron këtë çështje si të pafrytshme.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, beson se mund të ndajë ndikimin e tij me Rusinë në Ukrainë, Bjellorusi, Moldavi dhe në shtetet e Kaukazit Jugor, të cilat janë të gjitha anëtare në bllokun e Parteritetit Lindor, të themeluar më herët në këtë muaj.

Presidenti i Republikës së Çekisë, Vaclav Klaus, vendi i të cilit e kryeson presidencën e radhës së BE-së, sqaroi qëndrimin e Bashkimit Evropian.

“Ne u munduam të sigurojmë presidentin Medvedev se ideja për Partneritetin Lindor shërben vetëm për të arritur diçka pozitive dhe se kjo ide nuk është kundër askujt, e veçanërisht jo kundër Rusisë”,
tha Klaus.

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, nuk dukej dhe aq i bindur me këtë qëndrim. Në një deklaratë ai theksoi se vetë Bashkimi Evropian nuk e ka idenë se përse i nevojitet Partneriteti Lindor.

Medvedev po ashtu shfrytëzoi samitin për t’i kërkuar BE-së mbështetjen për planet e tij për, siç e quajti, arkitekturën e sigurisë, për Evropën dhe në këtë drejtim ai kritikoi ashpër NATO-n.

“Ne kemi marrëdhënie të bashkëpunimit, për shembull me bllokun veri-atlantik. Por, përderisa ky bashkëpunim dukej i veçantë, kur u vu në provë, doli i dobët. Gjatë përpjekieve aktuale për të rindërtuar marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, po ndeshemi me vështirësi serioze”, tha Medvedev.

Dështimi i samitit BE-Rusi për të arritur konsensus mbi një çështje të rëndësishme, u bë i dukshëm kur Medvedev kundërshtoi të marrë përgjegjësi për ndërprejen e furnizimit me gaz për Evropë, nëpër Ukrainë, në janar të këtij viti.

“Federata ruse nuk ka dhënë dhe nuk do të japë garanci për këtë çështje. Për çka? Nuk ka asnjë problem nga ana jonë. Ne jemi mirë, edhe sa i përket gazit, edhe sa i përket përmbushjes së obligimeve tona. Le të japin garanci ata që duhet të paguajnë gazin dhe ja ku është një mundësi për bashkëpunim”, u shpreh Medvedev.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Rusisë që t’i bashkohet Kartës për Energji, e cila do të obligonte Moskën të vë tregun e vet të energjisë në një nivel transparent dhe të bazuar në rregullat e tregut.

Kjo gjë është kundërshtuar nga Rusia, e cila në samitin në Kabarovsk paraqiti një mundësi tjetër, me të cilën do të rritej fuqia e vet si furnizuese për gaz dhe naftë në Evropë.
XS
SM
MD
LG