Ndërlidhjet

Historia e përbashkët e Evropës


Çka do të thotë të jesh evropian dhe cila është e ardhmja e Evropës? Për këto përgjigje, korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Ahto Lobjakas, ka biseduar me historianin britanik, Timoti Garton Esh.


RADIO EVROPA E LIRË
Çka është Evropa?

TIMOTI GARTON ESH
Është vend. Është histori. Është një ideal, një vizion. Dhe, është një bashkësi institucionesh, bashkësi komplekse institucionesh. Aty është Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe Këshilli i Evropës, por qendrori ndër këto institucione është Bashkimi Evropian, i cili është sui generis, nuk mund të definohet thjesht. Në termat e shkencës politike, është një objekt i paidentifikuar fluturues.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të thotë për një vend të kërkojë të jetë evropian – të themi për Estoninë apo Ukrainën?

TIMOTI GARTON ESH
Është një pyetje shumë e mirë, sepse është e qartë se nuk është një term neutral. Mbaj mend një revistë në Poloni, në mesin e 1980-tave, që kishte një lloj fjalori politik humoristik, dhe nën Evropën thuhej – kjo është ende nën komunizëm - “Nëse shkojmë në restorant dhe aty shohim mbulesë tavoline të pastër e të bardhë dhe kamerieri shfaqet në më pak se 10 minuta, ne themi: Evropë.”

Kjo do të jetë e njohur për të gjithë – ideja që Evropa nënkupton qytetërim, mirëqenie, liri – të gjitha këto gjëra të mira që shkojnë së bashku në idenë e kthimit në Evropë.

Dhe, kjo nuk është e vërtetë vetëm për Evropën qendrore dhe lindore. Ishte e vërteta edhe e Spanjës dhe Portugalisë në kthimin e tyre në demokraci. Ishte e vërteta dhe e Greqisë.

Është e vërtetë madje dhe për vendet si Suedia…E di, duke folur me Karl Bildtin për kthimin në Evropë. Pra, është nocion me vlerë të thuash “Ne jemi shtet evropian”, me shumë ide dhe me shumë ndërlikime.

Kjo është një gjë e mirë, përderisa nuk nënkupton se nëse nuk je evropian, ti nuk mund t’i kesh ato gjëra. Pra, kemi një akt të dyfishtë e të vështirë. Ne duhet ta mbajmë këtë sensin e vlerave dhe standardeve tona, pa u kthyer në atë që janë banorët kolonialë në thelb, stereotipa perandorakë të epërsisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nocioni i Evropës, të cilin ju e përshkruat, duke iu referuar fjalorit polak, përkon saktësisht me termin rus “kultura” – kulturë…

TIMOTI GARTON ESH
Pikërisht. Siç e thashë, unë mendoj se është shumë interesant veprimi i dyfishtë që duhet ta kemi, sepse ne duam të mbajmë atë sensin ideal të Evropës, por... për shembull... Maroku ka kërkuar nëse mund të aplikojë për anëtar të Bashkimit Evropian dhe është thënë se nuk mundet, sepse nuk ishte shtet evropian.

Tash, si historian, më duhet të them se unë nuk do të doja të mbroj kërkesën historike, që Turqia padyshim se është vend evropian dhe Maroku patjetër që jo. Unë mendoj se duket të jetë ndryshim i shkallës, jo llojit.

RADIO EVROPA E LIRË
Izraeli?

TIMOTI GARTON ESH

Izraeli, në shumë mënyra, është më evropian se Turqia. Kështu që unë nuk mendoj se mund ta justifikosh këtë në baza historike strikte.

Mund ta justifikosh në baza pragmatike e strategjike, apo? Sepse, nëse ke pasur një zgjerim të pafund të Bashkimit Evropian, për të përfshirë gjithë Maghrebin dhe gjithë Lindjen e Mesme, ai do të ndalonte të kishte një koherencë, një unitet, aktualisht.

Çështja është se nëse i themi Marokut “Nuk je vend evropian”, kjo nuk duhet të nënkuptojë se “Ti je inferior, barbar, i klasës së dytë”.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të pajtoheshit me komisionarin për zgjerim të BE-së, Olli Rehn, i cili së fundmi ka thënë se ai e sheh çështjen e përcaktimit të kufijve të Evropës si një projekt të gjeneratave? Kjo nuk përkon mirë me vizionin e Evropës lindore për Evropën, për shembull, e cila do që ta shohë Evropën si projekt përmbledhës...

TIMOTI GARTON ESH
Nuk mendoj se pajtohem me këtë, nëse e kuptoj këtë mendim drejt, sepse një nga interesat e mi është hartografia, janë hartat. Dhe, ju e dini, hartat janë imazhe mendore të botës. Dhe, imazhet mendore të botës ndryshojnë me kohën, jo vetëm me zbulimet, por dhe me mënyrën se si i sheh gjërat.

Mirëpo, vija ndarëse mes Evropës dhe Azisë, si dhe Evropës dhe Afrikës – është një nga vijat më të vjetra dhe më konsistente në histori.

Ju e dini, në shekullin e dytë para erës së re, në hartat e Erastothenes, njërit nga gjeografët më të vjetër, hartat e të cilit i kemi ende, ju keni vijën ndarëse midis Evropës dhe Azisë dhe midis Evropës dhe asaj që ata quajtën Libia – “T-hartën” dhe “O-hartën” dhe kështu.

Natyrisht, është vijë ndarëse mendore, por është një vijë ndarëse mendore shumë e vjetër, dhe janë tmerrësisht shumë histori të përbashkëta që kalojnë përgjatë saj.

Kështu që unë nuk mendoj se nocioni i Bashkimit Evropian mundet apo do të mund të bëhet totalisht i shkëputur nga vazhdimësia historike, gjeografike dhe kulturore e Evropës.

Mendoj se po t’ia nisnim nga fillimi, unë do të isha në favor të partneritetit special me Turqinë dhe partneritet special me Rusinë...

Fakt është se për 45 vjet ne i kemi premtuar Turqisë anëtarësim në Bashkësinë Evropiane. Ne e kemi përsëritur atë premtim disa herë. Tash, të tërhiqemi nga ai premtim, unë mendoj se do të dërgonte mesazh katastrofik. Por, është rast special.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian ka nevojë për Turqinë që të jetë dikush në skenën botërore?

TIMOTI GARTON ESH
Po, mendoj. Mendoj se ajo që duhet nisur të bëjmë në Bashkimin Evropian, është të fillojmë të mendojmë në mënyrë strategjike në lidhje me vendin tonë në një botë joevropiane në rritje.

Ne tashmë kemi një botë shumëpolare – me Kinën, me Indinë, me Brazilin, me Afrikën jugore, po ashtu dhe me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën – dhe ne duhet të mendojmë për pozitën tonë strategjike në botë.

Dhe, nëse mendohet për pozitën tonë strategjike, atëherë do të ishte kruciale të jetë Turqia. Një shtet demokratik në atë lokacion, në kepin lindor të Mesdheut, me shumicën e popullsisë myslimane, do të ishte pronë e madhe për Evropën.

RADIO EVROPA E LIRË
Robert Kuper, dora e djathtë e shefit për politikë të jashtme të BE-së, Havier Solana, e shpjegon shumë mirë se çka e bën unitetin e Evropës në botë – ajo është një perandori johegjemonike, me forca jodominante brenda, të cilat nuk synojnë dominim jashtë. Ndërsa e zgjeron ndikimin e saj, ndërsa vjen në kontakt me fuqitë tjera – Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Kinën – ajo është nën presion të bëhet diçka tjetër, të numërohet si fuqi në botën “reale”. A shihni ndonjë rrezik këtu të ambicieve të jashtme për të prishur qëllimin e brendshëm të Bashkimit Evropian?

TIMOTI GARTON ESH
Ishte një paraqitje shumë interesante e Fjodor Lulkjanov, mendimtar i politikave të jashtme ruse, i cili ka thënë: “Ju e dini, nëse BE fillon seriozisht të bëjë hapa në Ukrainë, Moldavi dhe Bjellorusi, atëherë do të hasë në “politikat e vërteta”. Dhe kjo ishte pothuajse velloja kërcënuese.

Çka kuptoni me “politika të vërteta”? Në Evropën Lindore është e qartë tani konkurrenca ndërmjet dy perandorive – ruse dhe evropiane, BE. Unë nuk mendoj që duhet t’i ndryshojmë rregullat me të cilat luajmë në BE.

Ne vetëm duhet të mbesim të vërtetë ndaj vetes sonë, që do të thotë, të themi atë që mendojmë dhe ajo që themi është: “Nëse përgatitesh, nëse mbërrin kriteret e Kopenhagës, nëse jeton për t’i siguruar standardet, atëherë do të kesh perspektivën e partneritetit".

Shqetësimi është se disa, nëse jo shumica e shteteve anëtare, natyrisht shtetet anëtare të Evropës perëndimore, nuk e mendojnë atë më. Dhe njerëzit në Moldavi, Bjellorusi dhe Ukrainë e kuptojnë, e kanë parë atë.

Dhe kjo është pse ajo fuqia jonë e butë, fuqia jonë për të tërhequr, është pakësuar aq shumë – sepse ne nuk mendojmë çka themi, sepse nuk kemi përkushtim të vërtetë për filozofinë tonë për perandori të vullnetshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Një temë kryesore në pjesën më të madhe të Evropës Lindore është e kaluara komuniste e shteteve të saj, krimet e komunizmit. Ka qenë një shtyrje që Parlamenti Evropian të marrë një qëndrim. Përderisa shtetet lindore kanë pranuar se nazizmi duhet dënuar, pjesa perëndimore nuk e ka njohur komunizmin si diçka të keqe. Sa është e rëndësishme për Evropën të arrijë pozicion unik rreth kësaj?

TIMOTI GARTON ESH
Unë mendoj se është gabim i madh të provohet të fuqizohet ligjërisht e vërteta historike, të thuhet se e kaluara duhet mbajtur mend në këtë mënyrë dhe nuk duhet mbajtur mend në atë mënyrë, se kjo duhet përshkruar si gjenocid, ajo jo – kjo është puna e historianëve, gazetarëve, shkrimtarëve dhe njerëzve të zakonshëm.

Unë mendoj se është shumë me vend të provohet të zhvillohet ajo ndjesia e përbashkët se nga vijmë. Nuk jam i sigurt se sa mund të bëjë Parlamenti Evropian në lidhje me këtë.

Mos të tallemi me veten tonë, se çdonjëri është duke pritur në anën e vendeve të tyre të lexojë rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për të kaluarën e Evropës. Kjo nuk është mënyrë që funksionon.

Unë mendoj se në shkollat tona - dhe kjo është një gjë ku shteti mund të ndikojë – ne do të duhej të kemi libra historikë, të cilët do të na tregonin për tmerret e nazizmit dhe ato të komunizmit. Dhe kjo absolutisht nuk po ndodh nëpër Evropë.
XS
SM
MD
LG