Ndërlidhjet

Tre serbë akuzohen për nxitje të dëshmive të rrejshme


Stacioni policor në Prishtinë
Stacioni policor në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar tre serbë nën dyshimin se kanë nxitur persona të tjerë që të dëshmojnë rrejshëm se janë viktima të transplantimit të organeve njerëzore, gjatë kohës së luftës në Kosovë.


Drejtoria kundër Krimit të Organizuar ka arrestuar, pasditen e djeshme, në Çagllavicë, tre serbë, për të cilët dyshohet se kanë nxitur disa persona që të dëshmojnë rrejshëm se janë viktima të transplantimit të organeve njerëzore.

Të arrestuarit janë Igor Juçinac (1976), serb i Kosovës, Millutin Radanoviq (1957) dhe Predrag Zhelkoviq (1976) - që të dy shtetas të Serbisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se arrestimi është bërë pas një periudhe të gjatë dhe të vazhdueshme hetimore, në koordinim edhe me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Beka shpjegon se informatat në lidhje me këtë rast janë siguruar përmes rrugëve operative policore dhe masave të fshehta të hetimit.
Personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer aktivitete kriminale dhe atë duke i premtuar të holla dhe të mira të tjera materiale së paku një personi...

“Personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer aktivitete kriminale dhe atë duke i premtuar të holla dhe të mira të tjera materiale së paku një personi, që i njëjti të deklarojë dhe dëshmojë rrejshëm se ka qenë viktimë e transplantimit të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

“Që të tre të arrestuarit dhe një i cili është në arrati dhe kërkohet nga Policia e Kosovës, dyshohet se kanë vepruar në bashkëveprim, duke ofruar shuma deri në 100.000 € (Euro) për personat që do të shprehnin gatishmëri të japin deklarata të tilla, si dhe premtime për të mira të tjera materiale, si banesë, punësim, veturë etj”,
tha Beka.

Beka njofton se të dyshuarit kishin premtuar edhe pagesa të majme për ndërmjetësuesit e mundshëm deri në 10.000 €.

“Pas arrestimit të tyre me vendim të Prokurorisë së Qarkut, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orësh, derisa hetuesit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, janë duke punuar në grumbullimin e dëshmive të tjera, lidhur me këtë rast. Si pjesë e operacionit policor, nga Policia e Kosovës është konfiskuar edhe një veturë e llojit Hyndai me ngjyrë të zezë NS”, tha Beka.

Igor Juçinac, nga Kosova, kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës në stacionin policor në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit deri në vitin 2007, ku, siç njofton policia, ishte larguar për shkak të shkeljeve të parimeve dhe procedurave të policisë.

Ndërkohë, tashmë, sipas policisë, janë duke u lajmëruar edhe autoritetet e Serbisë në lidhje me arrestimin e shtetasve të tyre.
Varësisht nga rrjedha e procedurës hetimore, mund të ketë edhe persona të tjerë të arrestuar si të dyshuar për këtë rast...

“Përmes zyrës ndërlidhëse të PK-së në mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, janë duke u njoftuar edhe autoritetet e Republikës së Serbisë për arrestimin e dy shtetasve të tyre”.

“Brenda afateve ligjore të parapara në bazë të legjislacionit kosovar, lënda do të përgatitet dhe do t’i dërgohet prokurorisë përkatëse. Varësisht nga rrjedha e procedurës hetimore, mund të ketë edhe persona të tjerë të arrestuar si të dyshuar për këtë rast”,
tha Beka.

Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk bën të ditur nëse këta tre kanë arritur ose jo që t’i bindin personat përkatës që të dëshmojnë rrejshëm.

Debati mbi transplantimin e mundshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë është ngritur në vitin e fundit pas publikimit të librit “Gjahu” të Karla Del Pontes, ku për këto veprime akuzoheshin pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-drejtuesit e UÇK-së dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës vazhdimisht kanë hedhur poshtë akuzat e tilla, duke i cilësuar si te pabaza dhe të pavërteta.
XS
SM
MD
LG