Ndërlidhjet

Përgjigjet e serbëve në thirrjet për zgjedhje


Serbët janë të ndarë rreth ftesës publike që kryeministri Thaçi u bëri për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Derisa ata që jetojnë në Kosovën qendrore, pranojnë të marrin pjesë nën disa kushte, politikanët e veriut nuk pranojnë asgjë që vjen nga institucionet e Kosovës.


Nuk vërehet ndonjë gatishmëri në mesin e serbëve që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së fundit të kryeministrit Hashim Thaçi, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Ata që jetojnë në enklavat në qendër të Kosovës, vazhdojnë të vënë kushte, kurse ata në veri refuzojnë çdo gjë që buron nga institucionet qendrore të Kosovës.

Sidoqoftë, zyrtarë të qeverisë mundohen t’i bindin serbët se zgjedhjet janë në të mirë të tyre. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ofron bashkëpunim.

“Ne u kemi bërë ftesë të hapur; zgjedhjet janë për të mirën e secilit qytetar. Ne do të bashkëpunojmë me komunitetin serb, me përfaqësuesit e tyre që janë në institucione, por edhe jashtë institucioneve, do të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare dhe do të ofrojmë gjithë infrastrukturën e domosdoshme legale, duke mundësuar edhe formën e re të decentralizimit”, pohoi zëvendëskryeministri Kuçi.

Jetësimi i decentralizimit mbase do t’ua ndërronte mendjen një pjese të qytetarëve serbë. Të paktën kështu pohon kryetari i Këshillit Kombëtar Serb, me seli në Graçanicë, Dragan Veliq.
Nëse këto kushte plotësohen, atëherë mbase edhe mund të pritet që komuniteti serb të dalë në zgjedhje. Në të kundërtën, nuk do dalim...

“Para së gjithash, realizimi i decentralizimit është shumë i rëndësishëm për të gjitha komunitetet, e posaçërisht për serbët. Ajo që është dhënë në Planin Ahtisari - ekziston një zgjidhje teknike që është e pranueshme për komunitetin serb, por po ashtu ka dilema rreth bartjes së përgjegjësisë deri te mekanizmi i ruajtjes”.

“Nëse këto kushte plotësohen, atëherë mbase edhe mund të pritet që komuniteti serb të dalë në zgjedhje. Në të kundërtën, nuk do dalim. Sidoqoftë, do të shohim se në ç’drejtim do të ecë procesi”,
thotë Veliq.

Por, kështu nuk mendon Millan Ivanoviq. Edhe ai përfaqëson Këshillin Kombëtar Serb, por të vendosur në veriun e vendit. Ai refuzon ftesën e kryeministrit Thaçi.
Serbët nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit shqiptar Hashim Thaçi...

“Serbët nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit shqiptar Hashim Thaçi. Shqiptarët kanë zgjedhur Thaçin, serbët nuk kanë marrë pjesë në ato (zgjedhje)”.

“Serbët kanë pasur zgjedhjet e tyre, të mbajtura më 11 maj, i kanë zgjedhur përfaqësuesit legjitimë në mënyrë demokratike. Serbët nuk do të dalin në këto zgjedhje, që i organizon një sistem ilegal”,
shprehet Millan Ivanoviq.

Kjo qasje, sipas zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, është e nxitur nga Beogradi zyrtar. Ndikimi më i madh i Beogradit thuhet të jetë në veriun e vendit, ku edhe qenë bojkotuar pothuaj plotësisht zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha Radios Evropa e Lirë se do të kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjë presion Beogradit.

“Po ashtu kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Beogradin, që të mos i ndalojë serbët, qytetarët e Republikës së Kosovës, të jenë pjesë e zhvillimeve në Kosovë. Unë mendoj se të gjithë do të punojmë në drejtim të duhur dhe ata do jenë pjesë e këtij procesi”, u shpreh Kuçi.

Subjektet politike serbe, që tashmë janë pjesë e institucioneve, janë deklaruar hapur se do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit, pasi që, sipas tyre, kjo është e vetmja formë për të mundësuar mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në Kosovë.
XS
SM
MD
LG