Ndërlidhjet

Shqetësimet për lirinë e shprehjes


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

Debati mbi lirinë e shprehjes në Kosovë nuk ka të ndalur. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, sërish ka shprehur shqetësimin mbi lirinë e shprehjes. Në anën tjetër, derisa disa nga gazetarët kosovarë mendojnë se në Kosovë po rrezikohet liria e shprehjes, ka të tillë që mendojnë se liria e shprehjes është e mjaftueshme në Kosovë.


Në Kosovë po vazhdon debati mbi njërën nga shtyllat e një shoqërie demokratike, e cila ndër të tjera përcakton nivelin e lirisë në një shtet - lirinë e shprehjes. Ka, apo nuk ka? Po rrezikohet, apo jo?

Opinionet e gazetarëve janë të ndryshme dhe dallojnë varësisht nga mediumi për të cilin punojnë.

Redaktori i së përditshmes “Koha Ditore”, Halil Matoshi, mendon se liria e shprehjes po shtypet, ndërsa qeveria e fundit, sipas tij, ka bërë hapa prapa në garantimin e saj.

“Ndonëse është e vërtetë se qeveria nuk jep liri, por duhet ta garantojë atë. Kjo qeveri nuk e ka garantuar lirinë qytetare, lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Kulmi i skandalit ka mbërritur me kërcënimin me jetë, që u është bërë gazetarëve të BIRN-it, dhe gazetat pro-qeveritare kanë vazhduar të stigmatizojnë gazetarët deri në thirrje për dhunë dhe linçim publik”, u shpreh Matoshi.

Faik Ispahiu është regjisor i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, medium ky që nxiti debatin mbi lirinë e shprehjes, pas një emisioni po për këtë çështje.

Në këtë emision u transmetua një reportazh nga Skënderaj, në të cilin ekipi i BIRN-it u nxor jashtë nga Zyra për Informim Publik e Komunës së Skënderajt dhe më vonë u detyrua të largohet nga qyteti, siç thuhet, nën përcjelle të policisë. Pasuan komentet në “Infopress”, ku ndër të tjera kishte edhe etiketime dhe thirrje për linçim fizik.

Ispahiu konsideron se liria e shprehjes është e rrezikuar, ndërsa përgjegjëse është qeveria.

“Unë e konsideroj përgjegjëse për situatën në Kosovë Qeverinë e Kosovës, nuk më intereson as UNMIK-u, as të tjerët, por kam punë me qeverinë time”, tha Ispahiu.

Por, ka të tillë që mendojnë se në Kosovë ka liri të mjaftueshme të shprehjes. Avni Azemi është kryeredaktor i gazetës “Infopress”. Ai hedh poshtë pohimet se “Infopress” ka kërcënuar me jetë gazetaren Jeta Xharra.

“Mendoj se pa të drejtë është ngritur kjo çështje, nuk ka pasur rast konkret, rast të arsyeshëm për të ngritur çështjen e lirisë së shprehjes. Në rastin konkret ka pasur reagime, që, për mendimin tim, kanë qenë të panevojshme, të paarsyeshme dhe madje unë e konsideroj si fushatë kundër një mediumi të caktuar rastin konkret ndaj ‘Infopressit’”, thotë Azemi.

Reporterët pa Kufij, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Amnesty International, Human Rights Watch - janë vetëm disa nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e njeriut dhe të shtypit ato që kanë reaguar pas rastit të Jeta Xharrës dhe i kanë kërkuar kryeministrit që t’i dënojë publikisht dhe t’i hetojë deri në fund kërcënimet kundër Xharrës.

Ndërkohë, vetë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, sërish ka potencuar se është i shqetësuar me lirinë e shprehjes në Kosovë.

Përparim Isufi, gazetar i Televizionit Alsat, thotë se institucionet duhet të ndryshojnë qasjen ndaj mediave, sepse, siç thotë ai, kohëve të fundit ka pasur raste që shqetësojnë.

“Kemi vërejtur shantazhime të shumta të mediave. Shumë raporte ndërkombëtare kanë ngritur këtë çështje dhe droja ime është se në raportin e progresit të BE-së, që publikohet në tetor, nëse çdo gjë do të jetë OK, mediat do të jenë pikat e dobëta, ku Kosova do të përshkruhet si vend që nuk respekton lirinë e shprehjes, të medias”,
shprehet Isufi.

Zyrtarë të qeverisë kanë hedhur poshtë pohimet se po kufizojnë lirinë e shprehjes, duke i konsideruar mediat si partnerë të tyre. Por, kësaj nuk i beson Halil Matoshi. Ai mendon se edhe prania ndërkombëtare në Kosovë nuk është e interesuar që të mbrojë lirinë e shprehjes.

Protektorëve - ICO-së dhe EULEX-it, por edhe qarqeve të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, para lirisë së shprehjes u intereson ruajtja e stabilitetit dhe te Qeveria e Kosovës e kanë gjetur një partner të rëndësishëm”, tha Matoshi.

Ndryshe, në raportin e fundit mbi liritë në botë, Freedom House e renditi Kosovën në vendet me liri të pjesshme.
XS
SM
MD
LG