Ndërlidhjet

Mbrojtja e të drejtave të njeriut - peng i statusit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk duhet të mbetet peng i mungesës së konsensusit për statusin e Kosovës. Është ky një nga përfundimet e raportit për Kosovën, të përpiluar nga Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.


Vëzhgimin katërditor që Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut bëri në mars të këtij viti në Kosovë, e ka publikuar në një raport, ku potencohen mangësi të shumta në fushën e të drejtave të njeriut.

Komisionari Tomas Hamarberg ka nënvizuar se Kosova ka kornizë të duhur ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por lë për të dëshiruar zbatimi i saj.

“Komisionari ka theksuar se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet të përfitojnë nga standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti në qasjen e tyre në drejtësi, në politikë e të drejtat e njeriut”, ka cituar pjesë të raportit shefi për komunikim me media në Zyrën e Komisariatit për të Drejtat e Njeriut, Stefano Montanari.

Në një deklaratë telefonike nga Strasburgu, Montanari i tha Radios Evropa e Lirë se një nga shqetësimet e Komisionarit ka qenë mungesa e konsensusit për statusin e Kosovës.

“Komisionari ka dashur të thotë se mungesa e konsensusit për statusin e Kosovës nuk duhet t’i mbajë peng njerëzit që jetojnë në Kosovë. Pra, qëndrimi i tij është se çfarëdo që të jetë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për statusin, ai nuk duhet t’i dëmtojë të drejtat e njeriut në Kosovë”, tha Montanari.

Kampi i romëve i kontaminuar me plumb, që gjendet në veriun e Kosovës, sërish është cilësuar si katastrofë humanitare, që kërkon zgjidhje urgjente. Komisionari ka kërkuar nga UNMIK-u dhe autoritetet e Kosovës mbylljen urgjente të tij.

UNMIK-u, mbi të cilin bie barra më e madhe e përgjegjësisë për ekzistimin e këtij kampi, thotë se një pjesë të fajit e kanë vetë banorët që nuk kanë dashur të largohen. Megjithatë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, mendon se tani ka një përkushtim më të madh për mbylljen e kampit.

“Është një çështje shumë e komplikuar. Është bërë punë e madhe nga shumë njerëz. Megjithatë, është me rëndësi që të gjejmë një zgjidhje afatgjate”, u shpreh Giki.

Në raport kërkohet nga institucionet që të bëjnë përpjekje më të mëdha për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Edhe kësaj here, kritika të ashpra i drejtohen sistemit të drejtësisë, i cili vlerësohet të jetë i korruptuar, sikurse edhe shumë sektorë tjerë publikë.

Me shumicën e gjetjeve të raportit pajtohet Ibrahim Makolli, përfaqësues i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Makolli, aktivist për të drejtat e njeriut për vite të tëra, thotë se në këtë fushë, Kosova ngec në shumë aspekte.

“Ka shkelje të shumta të të drejtave të njeriut me ose pa veprim të institucioneve. Një nga shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut ka qenë dhe vazhdon të jetë sistemi i drejtësisë, i cili në asnjë rast nuk ka treguar shkallë të përgjegjshmërisë, që të jetë në pajtim me nevojat për të realizuar të drejtat e njeriut”, tha Makolli.

Ndryshe, Komisionari Hamerberg ka kërkuar llogaridhënie nga institucionet, duke vënë theksin te prania ndërkombëtare civile dhe ajo e sigurisë.

Ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizim efektiv, që sfidon veprimet e pretenduara të paligjshme të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG