Ndërlidhjet

Duhej apo jo të vizitohej Maqedonia?


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Ndërsa kabineti i presidentit e vlerëson vizitën e Sejdiut në Maqedoni si të rëndësishme dhe që u kontribuon raporteve të mira fqinjësore, politikologë dhe analistë kosovarë konsiderojnë se Maqedonia duhet të nisë ta trajtojë Kosovën si shtet. Reagime të tilla vijnë pas takimit joformal, që presidenti Sejdiu pati këtë fundjavë në Ohër me presidentin maqedonas dhe atë të Shqipërisë.


Vizita e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Maqedoni, për të marrë pjesë në manifestimin kulturor “Vera e Ohrit”, ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë.

Vetë presidenti Sejdiu ka thënë se vizita ishte vazhdimësi e takimit të presidentëve rajonalë në Vlorë të Shqipërisë.

"Mendoj se ka qenë një frymë jashtëzakonisht konstruktive e bisedimeve. Nuk ka tema që pengojnë proceset e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve", tha Sejdiu, për të shtuar se së shpejti do të vendosen marrëdhëniet diplomatike mes Prishtinës e Shkupit.

Por, analistët kosovarë nuk mendojnë se takimi i Ohrit ishte vazhdimësi e atij të Vlorës. Analisti Halil Matoshi mendon se presidenti nuk është dashur të shkojë në Maqedoni në vizitë joformale.

Presidenti Sejdiu pati anuluar kohë më parë një vizitë në Maqedoni, për shkak se kabineti i homologut maqedonas e pati ndryshuar karakterin e saj nga zyrtare në vizitë pune.

“Kjo mua më duket se e cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës, në kohën kur Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ose ekziston Kosova për Shkupin si shtet i pavarur, ose nuk ekziston. Dualizëm këtu nuk mund të ketë”, tha Matoshi.

Ndryshe mendon profesori në Departamentin e Shkencave Politike (UP), Ibrahim Gashi, njëherësh nënkryetar i Aleancës Kosova e Re.

Ai konsideron se meqë Maqedonia e ka njohur Kosovën në një moment delikat, atëherë Kosova duhet të jetë çdoherë e gatshme për të përmirësuar raportet me këtë shtet fqinj.

“Prej momentit kur Maqedonia e njeh Kosovën, në njëfarë mënyre Kosova u detyrohet më shumë këtyre marrëdhënieve, për shkak të momentit kur erdhën njohjet nga Maqedonia e Mali i Zi, në vigjilje të votimit për ta çuar çështjen e pavarësisë në GJND”, u shpreh Gashi.

Kabineti i presidentit ka bërë të ditur se Gjorgje Ivanov i ka shtruar darkë zotit Sejdiu, në të cilën është folur për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Por, të gjitha këto bisedime, sipas Matoshit, nuk e zhbëjnë gabimin që Shkupi bëri në raport me Prishtinën, me rastin e inaugurimit të presidentit Gjorgje Ivanov.

Atëbotë, nga presidentët e rajonit, vetëm Sejdiu nuk u ftua në ceremoni, për shkak të, siç u komentua më pas, frikës se prania e tij do ta bënte presidentin serb, Boris Tadiq, ta lëshonte ceremoninë.

“Së pari është dashur që Shkupi ta ndreqë gafën e vet diplomatike karshi Prishtinës zyrtare, e më pastaj të shkohet me takime private. Por, këtu, si duket, është në lojë Shqipëria dhe presidenti shqiptar, zoti Topi, i cili realisht e ka marrë njëfarë roli të ndërmjetësit midis Shkupit e Prishtinës”, theksoi Matoshi.

Në anën tjetër, Ibrahim Gashi thotë se Maqedonia gjendet nën presionin e Serbisë, me të cilën ka pasur lidhje tradicionale më të afërta, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

“Unë mund ta kuptoj pozicionin e tij jo shumë të lehtë përballë presioneve që i vijnë nga shteti i Serbisë, që të mos i akordojë vizita të nivelit më të lartë presidentit të Kosovës. Por, unë konsideroj se presidenti ka bërë një gjest të mirë që ka shkuar”, tha Gashi.

Por, vizita e Sejdiut në Maqedoni, për Halil Matoshin do të thotë se Kosova nuk ka të sendërtuar politikat e jashtme si në raport me fqinjët, ashtu edhe me blloqet apo shtetet e mëdha, si BE apo SHBA.

“Prandaj, presidenti sillet nga momenti në moment pa pasur një vizion të qartë në raport me fqinjët. Kjo dëshmon edhe një jokonsistencë të tij politike, kjo dëshmon një jotransparencë ndaj publikut kosovar”, vlerësoi Matoshi.

Maqedonia dhe Mali i Zi kanë njohur Kosovën para nëntë muajsh. Por, ende nuk janë ngritur marrëdhëniet diplomatike. Në këtë pikë, Ibrahim Gashi mendon se këto dy shtete duhet të sillen me Kosovën si me çdo shtet tjetër.

“Unë mendoj që këto dy shtete tash e tutje nuk kanë arsye t’i frikësohen raportit të mirë me Kosovën dhe nuk kanë arsye që të mos sillen në raport me Kosovën si dy shtete sovrane. Nëse vazhdohet të kenë këtë drojë dhe ta minimizojnë pozicionin e Kosovës në këto relacione, atëherë pala kosovare duhet të insistojë, të jetë më insistuese”, u shpreh Gashi.

Ndërkohë, vetë politikanë maqedonas thonë se është në të mirë të Maqedonisë që të ndërtojë raporte të mira me Kosovën, meqë shqiptarët në këtë shtet fqinj janë element shtet-formues.
XS
SM
MD
LG