Ndërlidhjet

Honduras: Zelaja kërkon përmbysjen e regjimit


Presidenti i dëbuar i Hondurasit, Manuel Zelaja, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të ngrihen kundër regjimit, i cili erdhi në pushtet pas një grusht-shteti ushtarak.

Zelaja tha se qytetarët e Hondurasit kanë “të drejtën kushtetuese” që të rrëzojnë qeverinë e udhëhequr nga Roberto Miçeleti, i cili si kryetar i atëhershëm i parlamentit, erdhi në postin e presidentit pas dëbimit të Zelajës më 28 qershor.

Duke folur në Guatemala, ku po mbahej një tubim i mbështetësve rajonalë, Zelaja bëri të ditur se po vazhdon të përgatitet për kthimin e tij në Honduras.

Ai bëri thirrje për greva, tubime, protesta dhe bllokada të rrugëve për të zënë ndërtesat si mjet presioni për rikthimin e tij në postin e presidentit.

Përpjekjet e presidentit të Kostarikës, Oskar Arias, që përmes bisedimeve Zelaja-Miçeleti të zgjidhë krizën politike në Hoduras, dështuan pas disa ditëve.
XS
SM
MD
LG