Ndërlidhjet

ICO: Nuk ka ngecje të decentralizimit


Krijimi i komunës së re të Kllokotit është në rrugë e sipër. Por, gjërat nuk kanë shkuar mirë edhe me katër lokalitetet tjera, ku, për shkak të hezitimit serb, nuk janë formuar ende ekipet përgatitore komunale. Ndërkaq, ICO-ja nuk pranon se ka ngecje.


Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, ka emëruar dhjetë anëtarë në Ekipin Përgatitor Komunal për komunën e re të Kllokotit.

Ky edhe është hapi i parë drejt shndërrimit të këtij lokaliteti në komunë, siç parashihet me planin për decentralizim. Por, krijimi i ekipeve për katër komunat tjera me shumicë serbe ka ngecur. ICO nuk jep ndonjë datë për krijimin e këtyre ekipeve.

“Në javët e ardhshme do të kemi intervista për ekipet tjera dhe ato do të emërohen në moment të duhur. Mendoj se është e rëndësishme të ceket se ka pasur shumë aplikacione të mira për këto ekipe nga komuniteti serb, ka kandidatë të fortë”, thotë zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Endi Megafi.

Njëra nga komunat e reja pritet të jetë Graçanica. Lideri i Partisë së Ripërtëritjes Serbe nga ky vend, Rangjel Nojkiq, kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që përzgjedhja e njerëzve në ekipet përgatitore, të jetë përfaqësuese për komunitetin serb.

“Nuk do të ishte mirë të merren ata përfaqësues që janë paraqitur pa pajtimin e fshatit apo lokalitetit ku banojnë, sepse vendimet që do të dilnin nga ai ekip, do të ishin jovalide dhe joobligative për komunitetin serb”.

“Për këtë arsye duhet të përfshihen të gjithë faktorët, të cilët janë të rëndësishëm për sjelljen e këtij vendimi. Njëkohësisht do të ishte garanci që formimi i atyre komunave të reja dhe zbatimi i decentralizimit të ketë efekt të plotë dhe të jetë i pranueshëm për të gjithë”,
thotë Nojkiq.

Komunë tjetër e re pritet të jetë Mitrovica veriore. Por, ndryshe nga mjediset që gjenden në qendër të Kosovës, këtu ka pak gatishmëri për krijimin e komunës së re. Të paktën kjo transmetohet nga liderët që përfaqësojnë komunitetin e atjeshëm.

“Me rëndësi është që në asnjë rast serbët të mos e pranojnë këtë plan, sepse nuk i përshtatet komunitetit serb. Ne e dimë, qëllim i Piter Feithit është që t’u japë shqiptarëve dhe një shtet tjetër në Ballkan”, thotë njëri nga liderët e Këshillit Kombëtar Serb në veri, Marko Jashkiq.

Por, Endi Megafi thotë se interesim për të marrë pjesë në ekipet përgatitore komunale ka pasur edhe nga pjesa veriore e Kosovës.

“Krejt së bashku, mendoj se kanë qenë 350 aplikacione. Nga to, mendoj se më shumë se gjysma kanë qenë nga komuniteti serb. Ka pasur aplikacione nga çdo komunë e re potenciale”, thotë Megafi, duke hedhur poshtë pohimet për ngecje të procesit.

“Ky proces po lëviz përpara dhe nuk e konsiderojmë si të ngecur apo të ndalur, është obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës dhe është prioritet i madh i ICO-së”, tha Megafi.

Me Propozimin Gjithëpërfshirës kërkohet themelimi i pesë komunave të reja: Graçanica, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu dhe Mitrovica Veriore. Ndërkaq, një komunë ekzistuese, Novobërda, do të zgjerohet.

Ditë më parë, Instituti KIPRED ka publikuar një analizë, ku thuhet se zbatimi i suksesshëm i decentralizimit eviton ndarjen e Kosovës. Me këtë nuk pajtohet Lëvizja Vetëvendosje, e cila thotë se, në fakt, decentralizimi çon në ndarjen në vija etnike të Kosovës.
XS
SM
MD
LG