Ndërlidhjet

Trajkoviq: Të gjithë kundër decentralizimit


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq

“Nuk ekziston vullnet i mirë as në Prishtinë, as në Beograd e as te bashkësia ndërkombëtare, që të jetësojnë decentralizimin”, thotë nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, decentralizimi është duke u kushtëzuar si nga serbët, ashtu edhe nga shqiptarët, ndërsa po kushtëzohen edhe zgjedhjet lokale. Si e shihni ju këtë problem?

RADA TRAJKOVIQ
Para së gjithash mendoj se nuk ekziston vullnet i mirë as në mesin e liderëve institucionalë në Prishtinë, e fatkeqësisht as në mesin e liderëve institucionalë në Beograd.

Kurse, bashkësia ndërkombëtare, mendoj në Zyrën e Piter Feithit, është tërhequr shumë shpejt nga ky proces, mu në momentin kur serbët nga Kosova kanë qenë plotësisht të interesuar, kur kanë treguar se janë të gatshëm që ta marrin parasysh projektin.

Ata mbajtën qëndrim autentik, këtu kam parasysh qëndrimin për dalje në zgjedhjet lokale, meqë e kuptuan se ndryshe do të ishte vështirë të jetësohej projekti afatgjatë i mbetjes së serbëve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të merrni ju pjesë në zgjedhje, pavarësisht se a fillon decentralizimi, apo do të kushtëzoni pjesëmarrjen me decentralizim?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se një herë kemi dalë në zgjedhje, në kohën e zotit Shtajner, i cili pati premtuar që nëse dalim në zgjedhje, njerëzit që do të zgjidheshin, do të ishin ata që do të bartnin procesin e decentralizimit. Por, kur u zgjodhën përfaqësuesit, fatkeqësisht kurrë nuk u ofrua shansi apo mundësia e krijimit të komunave të reja serbe.

Kjo çështje u refuzua deri në ardhjen e Kai Eides, i cili i pari hartoi dokumentin për OKB-në mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe me rekomandimet e tij u hartua projekti për formimin e komunave të reja dhe forcimin e mekanizmave institucionalë, përmes të cilëve serbët do të mund të mbroheshin nga diskriminimi i qëllimshëm, i cili fatkeqësisht vjen nga përfaqësuesit e institucioneve me shumicë shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi thotë se nuk ka kushte për dalje në zgjedhje. Çka nëse serbët i bojkotojnë ato?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se tani, para decentralizimit, në fakt nuk ka kushte. Ne duhet ta fitojmë decentralizimin dhe Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur për këtë projekt. Fatkeqësisht nuk kemi kushte për zgjedhje.

Komunat e reja serbe, fatkeqësisht nuk kanë as infrastrukturë institucionale, e në disa mjedise nuk ka infrastrukturë për t’i pranuar as strukturat policore e të drejtësisë, të cilat janë të garantuara me Planin e Ahtisarit.

Është për të ardhur keq që në Kllokot, ekipi përgatitor është vendosur në shtëpi private dhe me këtë mënyrë tregohet se në mjediset serbe fatkeqësisht komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Prishtinës nuk kanë ndërtuar e urbanizuar zonat rurale. Ndërsa, e dimë se sa shumë është investuar dhe sa janë ndërtuar qytetet në Kosovë, duke e krijuar një realitet të ri në këto qytete.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë po vazhdon debati për një dialog që po zhvillon EULEX-i me Beogradin. Si e shihni ju këtë zhvillim dhe për çka do të duhej të bisedohej?

RADA TRAJKOVIQ
Të jem e sinqertë, do të duhej të flitej për relaksim të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Është koha, pa marrë parasysh se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në këto çaste, mbase tejkalimi i pengesave për dialog direkt mes Prishtinës dhe Beogradit, mes liderëve institucionalë, mendoj në ministritë, që mund të merren me problemet që u përkasin njerëzve të rëndomtë, do të kishte mundur t’i relaksonte raportet edhe mes serbëve e shqiptarëve, por gjithsesi edhe mes Prishtinës e Beogradit, çka do të na kishte sjellë dobi të gjithë neve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka ju, si qytetare e Kosovës, mund të bëni për këtë çështje?

RADA TRAJKOVIQ
T’ju them të drejtën, unë, që nga ardhja e bashkësisë ndërkombëtare, jam munduar të punoj për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve dhe t’i dërgojmë porosi bashkësisë ndërkombëtare, Beogradit e edhe shqiptarëve e serbëve në Kosovë, se kemi përjetuar shumë gjëra të këqija, se fatkeqësisht ka shumë shqiptarë e serbë të vrarë, që të vdekurit nuk mund t’i ngjallim, por që e ardhmja fillon atëherë kur të gjejmë gjuhën e përbashkët për diçka që quhet ndërtim i Kosovës multietnike.

Mendoj se projekti i ndarjes, apo ndonjë ndarje mes kufijve të rinj, do të ishte zgjidhja më e keqe për të ardhmen e të gjithë rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Jeremiq, thotë se për statusin e Kosovës duhet biseduar ende, ndërsa homologu i tij kosovar, Hyseni, thotë se kjo çështje është e mbyllur. Si e shihni ju çështjen e statusit dhe të pavarësisë?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se zoti Jeremiq, fushatën e tij diplomatike dhe atë që e proklamon si fitore diplomatike, e arrin falë bashkëpunimit me Rusinë dhe vendet që janë të afërta me Rusinë.

Në anën tjetër, zoti Hyseni, për të gjitha ato vende që e kanë njohur pavarësinë, duhet t’u falënderohet vendeve perëndimore. Realisht, nuk u besoj aftësive diplomatike as të njërit, as të tjetrit, e as pushtetit të tyre.

Mendoj se ministri i Jashtëm në Beograd si dhe ai në Prishtinë nuk duhet kurrë të heqin nga mendja se e ardhmja është e përbashkët. Mendoj se me këtë fjalor ultimatumi se gjithçka ka mbaruar - ku Beogradi e paragjykon Prishtinën dhe anasjelltas - nuk do të ketë zgjidhje të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ngjarjet e fundit në lidhje me pagesën e energjisë elektrike kanë treguar se për këtë çështje duhet të merren vesh serbët lokalë dhe KEK-u, për ç’gjë shumë serbë kritikojnë Beogradin. A ka këtu manipulim?

RADA TRAJKOVIQ
Nuk kam dëshirë të më thërrasin serbe lokale - unë jam serbe e Kosovës dhe nuk mund të më manipulojnë as serbët në Beograd e as serbët e shqiptarët e Kosovës.

Duhet t’ju them se pagesa e energjisë elektrike është obligim për të gjithë ne. Aktualisht, Kosova nuk ka kapacitete që të prodhojë energji dhe kjo energji vjen në Kosovë përmes sistemit energjetik të Serbisë dhe mund të them se rryma vjen nga Serbia.

Mendoj se ka manipulime të mëdha, gjithsesi. Unë jam që njerëzit të paguajnë atë që e shpenzojnë, sepse në këtë mënyrë, jo vetëm që do të paguajnë, por edhe do të kursejnë. Mendoj se me këtë së pari do të kishte kursim, e më pas përgjegjësi që përfundimisht të nisim të sillemi si njerëz të përgjegjshëm.

Ne të gjithë kërkojmë privilegje, por nuk jemi vetë të përgjegjshëm. Duhet të kemi përgjegjësi, e natyrisht edhe privilegjet njerëzore, që janë normale në të gjitha shoqëritë demokratike.
XS
SM
MD
LG