Ndërlidhjet

“Kosova zyrtare s’do shkëmbim territoresh me Serbinë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Parlamenti i Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë e veta buxhetore dhe duke kërkuar donatorët e mundshëm për hapjen e një “televizioni personal”. Kjo do të bëhej me qëllim që të kishte sa më shumë informacione për Kuvendin dhe seancat të transmetohen nga minuta e parë e deri tek e fundit. Tani për tani, Radio Televizioni i Kosovës transmeton skenat e Kuvendit, por vetëm deri në orën 17:00 dhe eventualisht pjesën e mbetur nganjëherë e transmeton pas orës 24:00. Një ide të tillë dhe në formë si kërkesë verbale e ka dhënë edhe Instituti Demokratik i Kosovës, duke u arsyetuar në atë se do të kishte më shumë të dhëna për punën e Kuvendit si një institucion i lartë dhe përfaqësues i popullit...

KOSOVA SOT
Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të cilat po i boton në vazhdimësi gazeta jonë, tregojnë se, pavarësisht disa përmirësimeve, shkeljet edhe më tutje në këtë qeverisje vazhdojnë. Rastet e tenderëve, të dhënë me çmimin dukshëm më të shtrenjtë se ofertat e tjera apo të shkeljeve të tjera financiare dhe ligjore nëpër dikasteret ministrore, nuk mund të injorohen. Këta që sot janë në pushtet nuk duhet të harrojnë se sa ishin në opozitë e ngritën zërin me forcë kundër abuzimit të parasë publike. Pikërisht denoncimi i korrupsionit dhe i keqpërdorimeve që bënte koalicioni i atëhershëm dhe premtimi i alternativës së re qeverisëse solli edhe rotacionin politik. Por, ajo që po ndodh sot dhe po dokumentohet me raportet e auditimit nuk është asgjë më shumë e as më pak se “përsëritja e historisë”...

EXPRESS
Teksa po afrojnë zgjedhjet komunale të nëntorit, që shihen si një matës i rëndësishëm i skenës politike kosovare, deri më tash vetëm diku 20 emra kandidatësh për kryetarë komunash janë zyrtarizuar. Prej tyre, shumica absolute vijnë nga partitë aktuale opozitare në nivel qendror – AAK dhe LDD. Ndonëse do të ishte e preferueshme që të dihen emrat e kandidatëve prej partive më të fuqishme ashtu që elektorati të mund të përgatitet sa më mirë për votime, duket se problemi është shumë më serioz sesa ndonjë tendencë për të luajtur me karta të mbyllura. Disa nga partitë politike janë duke u angazhuar me përkushtim në terren me aderime, shpërndarje librezash, propagandë, përurime pompoze të projekteve infrastrukturore... Qartësisht ato mundohen që të jenë sa më të pranishme në elektorat...

ZËRI
Ndonëse kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga koha kur dy vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, shteti më i ri i botës vazhdon të mos ketë vendosur marrëdhënie diplomatike me këto dy vende fqinje. Shpjegimi i zyrtarëve qeveritarë për këtë është se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira vetëm me vendet fqinje dhe kanë vazhduar të premtojnë vendosje të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash si me Maqedoninë, ashtu dhe me Malin e Zi, mirëpo duke mos dhënë afate se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë. Në anën tjetër, përfaqësues të partive në opozitë e kanë kritikuar ashpër Presidencën dhe Qeverinë për neglizhencë në hapjen e ambasadave në Shkup dhe në Podgoricë...

BOTA SOT
Vonesat në kompletimin e mekanizmave institucionalë tashmë janë bërë traditë në vendin tonë, ndërsa deklaratat e zyrtarëve qeveritarë se ‘gjithçka është çështje kohësh’, mbeten të tilla edhe sa i përket funksionalizimit të AKI-së. Institucionet e Kosovës kanë dështuar në kompletimin e stafit të AKI-së. Edhe pse kanë kaluar katërmbëdhjetë muaj nga hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe pesë muaj të përzgjedhjes së njeriut të parë të AKI-së, ky institucion i rëndësishëm për sigurinë në Kosovë ka vakuume në burime njerëzore. Vonesat në kompletimin e stafit të Agjencisë së Inteligjencës, nga spektri opozitar vlerësohen të pajustifikueshme. Madje, sipas tyre, zvarritjet në konsolidimin e stafit të nevojshëm të AKI-së i kushtojnë Kosovës në dy dimensione...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, e ka vlerësuar pozitiv raportin e fundit të Zyrës së Auditorit Gjeneral. Ai ka thënë se në këtë raport nuk bëhet fjalë për ndonjë shkelje të rëndë apo ndonjë keqpërdorim të buxhetit, përveç disa mangësive të vogla, të cilat ka premtuar se në vitet e ardhshme nuk do të përsëriten. Këto komente ministri Pajaziti i ka bërë të dielën gjatë një konference për medie. “Jam i lumtur që në krahasim me raportin e vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme ka reflektuar dhe i ka sanuar shumicën e rekomandimeve, të cilat na janë dhënë nga ana e auditorit të përgjithshëm”, është shprehur Pajaziti...

LAJM
Kalimet e përfaqësuesve politikë nga një parti në tjetrën janë shndërruar në një fenomen të shpeshtë në skenën politike të Kosovës. Vetëm pas zgjedhjeve të fundit, kanë ndodhur mbi 10 transferime të tilla të zyrtarëve të lartë të partive. Deputetë të Kuvendit, ish-ministra, ish-kryetarë komunash, kryetarë degësh, anëtarë kryesish partiake kanë ndërruar folenë politike pa ndonjë arsye të madhe. Kjo kategori njerëzish, sipas analistëve politikë, tashmë është bërë pjesa më aktive e politikës, duke e shndërruar atë në një pazar me çmime të ulëta. Analisti politik, Behxhet Shala, thotë se fenomeni i lëvizjes së zyrtarëve të lartë nga një parti në tjetrën tregon mungesën e moralit në politikën kosovare...

KOHA DITORE
Ideja e fundit që ka dalë nga një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për “shkëmbim territoresh” mes Kosovës dhe Serbisë nuk është mirëpritur nga institucionet e vendit. Mirëpo, derisa për Qeverinë e Kosovës shkëmbimi i territoreve dhe ndryshimi i kufijve nuk është opsion, në Luginën e Preshevës kjo ide është parë me simpati. Ndonëse ideja për shkëmbim territoresh ka kohë që qarkullon në opinion, një ditë më parë asaj ia ka dhënë një impuls të ri pikërisht një nga mbështetësit e mëdhenj të Kosovës në Kongresin Amerikan, Dana Rohrabaker...
XS
SM
MD
LG