Ndërlidhjet

Rreziqet për stabilitetin e Maqedonisë


Incidenti në Lagjen Nerezi në Shkup, 16 gusht 2009.
Incidenti në Lagjen Nerezi në Shkup, 16 gusht 2009.

Maqedonia rrezikohet nga destabilizimi nëse nuk ndërmerren masa për parandalimin e incidenteve ndëretnike, vlerësojnë ekspertët dhe organizatat joqeveritare, duke komentuar rrahjen masive ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në një lagje të Shkupit.


Ekspertët dhe organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me incidentet ndëretnike në Shkup. Ata kërkojnë nga organet shtetërore vigjilencë në menaxhimin e këtij rast, që të mos marrë përmasa edhe më dramatike, e që situatën do ta nxirrte jashtë kontrolli.

“Baza e qytetarëve po kontaminohet me helm ndëretnik; do të thotë, me mostolerancë ndëretnike. Kur të rinjtë e urrejnë njëri-tjetrin, atëherë çfarë shoqërie mund të zhvillojmë ne këtu në Maqedoni?! Mendoj se autoritetet duhet të reagojnë dhe Ministria e Brendshme menjëherë t’i arrestojë këto grupe huliganësh, që dogjën edhe flamurin shqiptar në stadiumin e qytetit dhe për çdo muaj bëjnë nga një incident ndëretnik në vend”, tha Artan Grubi, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”.

Në këtë drejtim, Mirjana Malevska, ligjëruese universitare dhe njohëse e raporteve ndëretnike në Maqedoni, tha se fajtorët e këtij incidenti patjetër duhet të nxirren para drejtësisë.

“Në një shoqëri çdoherë mund të paraqiten dukuritë ekstremiste, por me këtë rast është shumë me rëndësi që shteti, dhe organet e tij siç është dhe policia, t’i gjejë fajtorët dhe t’i nxjerrë para drejtësisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojë se kujdeset njësoj për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha Malevska, duke ftuar para së gjithash liderët e partive politike që të punojnë në favor të tolerancës dhe të përmbahen nga fjalori i tyre i nxitjes, pasi në situata të këtilla, sipas saj, mjafton një inkurajim i vogël i cilësdo palë që situata të rëndohet edhe më tej.

“Duhet të punohet shumë në krijimin e një atmosfere tolerante dhe këtë, para së gjithash, duhet ta bëjnë liderët politikë, të përmbahen nga fjalori i tyre ekstremist, të përmbahen nga shfrytëzimi i ndjenjave nacionale të qytetarëve për qëllime të ulëta politike, duke mos mbajtur llogari me këtë rast se mund t’i dëmtojnë rëndë marrëdhëniet ndëretnike, e me këtë edhe stabilitetin e shtetit”, deklaroi Mirjana Malevska.

Ajo shtoi se rasti i konfrontimit në baza nacionale në Lagjen Nerez të Shkupit është edhe një fakt i dhimbshëm, se edhe 8 vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur dhe arritjes së Marrëveshjes paqësore të Ohrit, në Maqedoni, sipas saj, ende nuk është arritur të kapërcehen paragjykimet etnike.

Edhe Artan Grubi mendon se gjatë periudhës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, shumë pak është punuar në krijimin e një tolerance të mirëfilltë mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni.

Ai thotë se incidentet janë edhe pasojë e raporteve jo të mira mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Incidenti buron drejtpërdrejt nga marrëdhëniet e këqija ndëretnike, që janë në koalicionin qeveritar mes partnerëve maqedonas dhe shqiptarë. D.m.th. injoranca që partneri maqedonas u bën marrëdhënieve ndëretnike, tani ka pasoja tek qytetarët e thjeshtë dhe tek gjithë shoqëria. Më duhet të them se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë, pasojë e moratoriumit të shpallur nga ana e VMRO-DPMNE-së në vitin 2006 për marrëdhëniet ndëretnike”, tha Artan Grubi.

Incidentit ndodhi të dielën në mbrëmje, në Lagjen Nerez të Shkupit, kur një grup i maqedonasve etnikë, të quajtur “komitët”, kishte sulmuar banorët shqiptarë të lagjes. Nga sulmet me shufra të hekurit, thika, gurë e sende tjera të forta, nuk ishin kursyer as gratë e fëmijët dhe për pasojë disa prej tyre edhe ishin shtruar në spital.

Policia, e cila ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, nuk ka ndërhyrë në evitimin e incidentit, i cili ka shkaktuar reagime të shumta si nga partitë politike, ashtu edhe nga qytetarët dhe organizatat joqeveritare.
XS
SM
MD
LG