Ndërlidhjet

Merkel: Do qartësojmë sulmin në Afganistan


Kancelarja gjermane Angela Merkel u zotua se do të sigurojë qartësim të plotë të sulmit vdekjeprurës të NATO-s në Afgainstan, të urdhëruar nga një komandant gjerman.

Zyrtarët afganë kanë thënë se sulmet ajrore mbi dy cisterna nafte të rrëmbyera nga talibanët në provincën Kunduz kanë lënë të vdekur 54 njerëz, përfshirë civilë.

Merkel në një fjalim drejtuar parlamentit, ka shprehur keqardhjen për humbjen e jetërave dhe ka premtuar hetime të thella, por po ashtu ka theksuar se Gjermania nuk do të pranojë “paragjykimet”.

Gjermania është përballë me kritikat se kishte urdhëruar sulmet ajrore dhe se fillimisht kishte insistuar se në mesin e viktimave kishte vetëm militantë.

Sulmet ajrore në Afganistan janë vënë në fokus të debatit politik në Gjermani, ndërkohë që vendi po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme më 27 shtator.
XS
SM
MD
LG