Ndërlidhjet

“Dështon decentralizimi në Veri”


KOSOVA SOT
Mali i Zi, para vendosjes së raporteve diplomatike, do rikthimin e refugjatëve romë në Kosovë. Ndërsa është duke iu afruar fundit të dekretimit të ambasadorëve për misionet e reja, aktualisht janë dy vende, Maqedonia dhe Mali i Zi, me të cilat ende nuk janë vendosur raportet në nivel diplomatik. Këto dy vende kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor të vitit të kaluar, hap ky i cili është vlerësuar me tone më pozitive nga politika zyrtare e Kosovës. Teksa bashkëpunimi i Kosovës me këto dy vende vlerësohet të jetë tejet i mirë, komunikimi në rrafshin diplomatik vazhdon të jetë në një ngërç pozicion. Njohja e Kosovës nga këto dy vende ka reflektuar në raportet e tyre me Serbinë. Kjo e fundit menjëherë ka shpallur ambasadorët e tyre persona non - grata....

EXPRESS
Partitë politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, i kanë shlyer borxhet dhe kanë aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ). Me këtë hap partitë i kanë përmbushur kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje, kurse KQZ do t’i shqyrtojë aplikacionet e tyre dhe brenda tri ditësh do t’u kthejë përgjigje. “Ne jemi shumë të kënaqur që kjo punë u krye dhe se partitë i kanë kryer obligimet në bazë të dispozitave ligjore. Ato i kanë shlyer borxhet, sepse shlyerja e borxhit ka qenë një prej kushteve për aplikim dhe certifikim”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta. Deri në afatin e fundit ligjor, në KQZ kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhje 76 subjekte politike. Prej tyre, 4 subjekte janë certifikuar nga KQZ më herët, kurse 72 subjekte kanë aplikuar më 14 dhe 15 shtator...

ZËRI
Komunat e reja me shumicë serbe, bazuar në Pakon e Ahtisarit dhe pjesën që flet për decentralizimin, në disa fusha do të kenë më shumë kompetenca sesa komunat ekzistuese. Vendimi është marrë gjatë ditëve të fundit me gjithë rezervat e shprehura nga lidershipi në Prishtinë. Por, sipas burimeve ndërkombëtare, Pieter Feith edhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit kanë sugjeruar që t’u plotësohet kjo kërkesë e serbëve, duke shpresuar në pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale. Sidomos, pritjet janë për një pjesëmarrje më masive në pjesën qendrore, përderisa për veriun e Kosovës gati se nuk ka optimizëm fare për ndonjë pjesëmarrje të këtij komuniteti në zgjedhjet e 15 nëntorit...

BOTA SOT
“Qëllimi i Beogradit dhe veprimet e strukturave ekstreme, sidomos në veriun e Kosovës, janë shndërruar në një fuqi politike dhe na është dashur shumë më tepër punë që të shënojmë progresin fillestar, krijimin e një klime dialogu”, tha ministri Ferati. Procesi i decentralizimit në Kosovë ka shënuar progres kryesisht në pjesën qendrore dhe në Anamoravë, në komunat me shumicë serbe, por në veri të Kosovës ai duket i dështuar. Fajësia për ngecje të decentralizimit në veri, i është lënë ndikimit të Beogradit dhe strukturave paralele serbe që veprojnë atje nga ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, duke folur për procesin e decentralizimit. “Për shkaqe politike në komunat me popullatë serbe, me theks në veri ku ndikimi i Beogradit ka qenë i fuqishëm, një obstruksion, një rezistencë që është krijuar për mosimplementimin e projektit, kemi pasur ngecje”...

EPOKA E RE
Presidenca suedeze e bashkimit Evropian shpreson se Komisioni Evropian do të dalë shpejt me raportin, i cili do të jetë në formë udhërrëfyesi se si të shkohet më tutje në procesin e liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kështu ka thënë Cecilia Mallstrom, ministre për Çështje Evropiane në Qeverinë suedeze, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Evropian, ku temë debati ishte procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Raporti i Komisionit nuk do ta ndryshojë situatën, qytetarët e Kosovës do të kenë nevojë për viza, për të udhëtuar në Evropë, por ne presim që ky raport të na japë kahet se si do të shkojmë më tutje me këtë proces”, ka thënë Mallstrom...

KOHA DITORE
Pala kosovare është ajo që duhet t’i pajisë zyrtarët e EULEX-it me informata policore, të cilat më pas ky komision i ndan me palët e treta, në këtë rast MPB-në e Serbisë. Një gjë e tillë pranohet nga zyrtarët evropianë, të cilët megjithëkëtë insistojnë se nuk do të ndajnë asnjë informatë pa pajtimin paraprak të Prishtinës. Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ia ka adresuar Policisë së Kosovës një kërkesë përmes së cilës kërkon arritjen e një marrëveshjeje të mirëkuptimit, e cila do t’ia mundësonte qasjen në të dhënat që janë në pronësi të forcave kosovare të rendit, kanë bërë të ditur burime të gazetës. Kërkesa e EULEX-it, sipas këtij burimi, ka të bëjë me sigurimin e qasjes në informatat mjeko-ligjore të inteligjencës dhe ato të sigurisë...

LAJM
Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, po planifikon që të kandidohet për kryetare të komunës së Graçanicës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Në një intervistë për “RTK”-në, Trajkoviq e ka vlerësuar pozitiv vendimin e Grupit Ndërministror për Decentralizim, që zgjedhjet lokale të mbahen edhe në komunën e re të Garçanicës, formimi i së cilës është paraparë edhe në Pakon e Ahtisarit. Trajkoviq i ka ftuar serbët e Graçanicës që të dalin sa më shumë në zgjedhjet e 15 nëntorit, pasi, siç ka thënë ajo, nëse serbët nuk punojnë për vete, askush nuk do t’iu ndihmojë....

INFOPRESS
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se që të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të marrin pjesë në debatin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila do të vendosë mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Jeremiq ka vlerësuar se për herë të parë në histori, të gjitha vendet që janë anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së, do të marrin aktivisht pjesë në GJND, duke cekur se ky paraqet sukses për Serbinë. “Ky është sukses i Serbisë, sepse aksioni, të cilin e kemi iniciuar në KB, ka sjellë që vendet më të rëndësishme të botës t’i kryqëzojnë argumentet e veta në gjykatoren e GJND-së”...
XS
SM
MD
LG