Ndërlidhjet

Obama: Koncept i ri i mbrojtjes raketore


Barak Obama, president amerikan
Barak Obama, president amerikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka shpallur konceptin e ri të mbrojtjes raketore në Evropë. Programi do të zëvendësojë planin e administratës Bush për vendosjen e mburojës raketore në Republikën e Çekisë dhe Poloni.


Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara do t’i alternojnë dhe forcojnë planet për zhvillimin e mbrojtjes raketore.

Planet e reja amerikane synojnë që të adresojnë më mirë kërcënimin që paraqet Irani. Qasja e re amerikane do të mundësojë përdorimin e teknologjisë që është provuar si efikase, tha presidenti Obama.

“Unë i kam miratuar rekomandimet unanime të Sekretarit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për ta forcuar mbrojtjen e Amerikës kundër një sulmi raketor balistik. Kjo qasje e re do të mundësojë një mbrojtje më të shpejtë, të ndërtuar mbi bazë të sistemeve të dëshmuara, dhe do të ofrojë mbrojtje më të madhe kundër çdo kërcënimi të sulmit raketor, se sa programi i mburojës raketore i vitit 2007”, tha presidenti Obama.

Ai shtoi se vendimi është marrë bazuar mbi vlerësimet e kundërzbulimit për kërcënimet nga Irani.

“Ne i kemi rivlerësuar analizat e kundërzbulimit për programet raketore të Iranit, të cilat i theksojnë kërcënimin e raketave iraniane me reze të shkurtër dhe rreze të mesme veprimi, të cilat janë të afta të mbërrijnë në Evropë. Nuk ka zëvendësim për detyrimet e Iranit që t’u bindet obligimeve ndërkombëtare lidhur me programin e vet bërthamor. Ne, bashkë me aleatët tanë do të vazhdojmë me diplomacinë e fuqishme që të sigurohemi se Irani do t’i përmbushë këto detyrime ndërkombëtare. Por, ky program i ri i mbrojtjes raketore balistike do t’i adresojë më së miri kërcënimet që dalin nga programi aktual raketor balistik i Iranit”, tha Obama.

Presidenti amerikan tha se teknologjitë e reja do të bëjnë që programi i ri të jetë më efektiv dhe më fleksibil se i programi i mëparshëm.

“Arkitektura jonë e re e mbrojtjes në Evropë do t’u ofrojë mbrojtje më të fortë, më të mënçur dhe më të aftë forcave amerikane dhe aleatëve të Amerikës. Ajo është më gjithëpërfshirëse se programi paraprak. Ajo është e ndërtuar mbi bazën e përkushtimit tonë për të mbrojtur atdheun tonë nga kërcënimet e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi. Ajo gjithashtu siguron mbrojtje për të gjithë aleatët tonë të NATO-s”, tha presidenti Obama.

Por presidenti amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Republikën e Çekisë dhe Poloninë, të cilëve iu referua si miq dhe aleatë të ngushtë, dhe tha se ky vendim i riafirmon lidhjet e thella me këto vende.

Obama gjithashtu foli edhe për shqetësimet dhe rezervat që Rusia i ka pasur ndaj programit të mburojës raketore.

“Ne vazhdimisht ia kemi bërë të qartë Rusisë se shqetësimet e saj për programet tona mbrojtëse të mëhershme kanë qenë plotësisht të pabaza. Fokusi ynë i qartë dhe konzistent ka qenë në kërcënimin nga programi iranian i raketave balistike. Ky vazhdon të mbetet fokusi ynë dhe baza e programit të cilin e shpallëm sot”, tha presidenti amerikan Barak Obama.
XS
SM
MD
LG