Ndërlidhjet

“EULEX do zgjidhje politike për të hyrat doganore në veri”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Që shëndetësia po ndryshon pozitivisht, nuk po e themi vetëm ne, por edhe të tjerët, ata që i kuptojnë rrjedhat në shëndetësi dhe që dinë të krahasojnë e vlerësojnë pa paragjykime dhe mbi bazën e fakteve. Po flasin edhe ata që e dinë se ku ishte shëndetësia para një apo dy vjetësh e ku është tash. E ka thënë edhe Auditori Gjeneral në Raportin për Menaxhimin e Financave Publike, ku Ministria e Shëndetësisë ka dalë të jetë nga më të mirat në menaxhimin e parasë publike. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për “Epokën e re” ministri Alush Gashi. Ai ka thënë se lajmi i dytë i mirë është se më 2 tetor në IKSHP do të kryhen analizat e mostrave të dyshimta për grip të derrit...

KOHA DITORE
Misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, ende është duke zhvilluar diskutime të brendshme me Brukselin rreth draftit të protokollit për dogana, ndërkohë që autoritetet serbe dhe Prishtina zyrtare kanë qëndrime të ndryshme për këto aranzhime të reja teknike. Derisa Beogradi insiston që mjetet nga të hyrat doganore të grumbullohen në një buxhet të veçantë, i cili do të përdorej për investime në komunat veriore, pala kosovare nënvizon se Kosova është territor unik doganor dhe si e tillë nuk mund të lejojë aranzhime që do të vënin në pikëpyetje këtë rregullim. Dallimet në pikëpamje rreth kësaj çështjeje kanë detyruar EULEX-in që të kërkojë zgjidhje politike...

LAJM
Ndërrimi i hartave nga ana e ushtrisë së Jugosllavisë dhe lëvizja e kufirit në Kullë të Pejës, disa kilometra në brendi të Kosovës, do të paraqesin probleme për shënimin e vijës kufitare edhe me Malin e Zi. Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, parashikon që në të ardhmen Kosova dhe Mali i Zi do të kenë telashe rreth përcaktimit të kufirit, që ndan këto dy shtete fqinje. Në marrëveshjen e Kumanovës, sipas Kurtit, NATO-ja ka pranuar hartat e gjeneralëve të ushtrisë jugosllave dhe ato, sipas tij, janë në dëm të Kosovës në raport me fqinjët e saj... Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, tha për “Lajm” se çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi e ka paraqitur si shqetësim në Komisionin qeveritar për demarkacion...

INFOPRESS
Nga 1 janari i vitit 2010 të gjithë punëtorëve shëndetësorë në Kosovë do t’iu rriten pagat rreth 30 për qind. Ky ka qenë konfirmimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të martën në Rahovec, para punëtorëve të shëndetësisë së kësaj komune. “Sonte jam këtu për t’ju konfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe vendimin tim, që për të gjithë punëtorët e shëndetësisë, nga janari i vitit 2010 të ketë përmirësim të pozitës materiale dhe rritje mesatare të pagave, që do të sillet rreth apo mbi 30 për qind”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke bërë të ditur se kjo do të jetë pjesë e rregullt e buxhetit të qeverisë dhe nga rritja do të përfitojnë të gjithë punëtorët e shëndetësisë...

KOSOVA SOT
Enciklopedia maqedonase vazhdon të mbajë të ndezur debatin e opinionit të gjerë dhe reagimet e njëpasnjëshme të faktorëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian kërkon informacione shtesë për përmbajtjen e enciklopedisë maqedonase, ndërsa pritet që të ketë edhe reagime nga përfaqësues të këtij organizmi të lartë në ditët në vijim, para publikimit të raportit të KE-së. Lajmi është bërë i ditur nga burime diplomatike nga Brukseli. Për këtë çështje, Bashkimi Evropian ka marrë në shqyrtim enciklopedinë e re të hartuar nga ASHM-ja, e cila ka krijuar jo pak reagime si nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Maqedoni, por edhe vendeve të tjera të rajonit, ndër të cilat edhe Shqipëria...

EXPRESS
Nëse Nexhat Daci e ka cilësuar koalicionin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë me Aleancën Kosova e Re si formulë të fitores, për Berim Ramosajn kjo marrëveshje do ta tregojë krejtësisht të kundërtën. Ramosaj, që në muajt e thatë politikë të verës së këtij viti i dha gjallëri politikës ndërpartiake me projektin e tij për ribashkim të LDD-së me LDK-në, është larguar vullnetarisht nga posti i nënkryetarit të LDD-së, pasi projekti i tij nuk gjeti mbështetje ndër struktura të partisë. Pas dy muaj heshtjeje, ai flet me bindje se projekti i tij është duke u realizuar, qoftë edhe pa dëshirën e kreut të LDD-së...

ZËRI
Gjykimi i gjatë rreth vrasjes së vëllezërve Bytyçi në Serbi, pas luftës së Kosovës, ka përfunduar pa u dënuar askush. Të akuzuarit, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë liruar nga aktakuza, siç ka thënë gjykata, për mungesë provash. Prokuroria dhe avokatët janë shprehur të pakënaqur, ndërkaq trupi gjykues e ka komunikuar verdiktin pa dhënë shumë arsyetime përveç konstatimit të faktit se “ka ndodhur një krim i tmerrshëm për arsye të panjohura”. Gjykimi ka filluar në vitin 2006 para kolegjit për krime të luftës në Gjykatën e Qarkut në Beograd, që i ngarkonte të akuzuarit Popoviq e Stojanoviq, ish-pjesëtarë të MPB-së së Serbisë, se në mënyrë të paligjshme i kanë arrestuar vëllezërit Bytyçi më 8 gusht të vitit 1999 në afërsi të kalimit kufitar në Merdar, ku nga pakujdesia kishin rënë në duar të forcave serbe...

BOTA SOT
Pikat doganore 1 dhe 31 që nga shkatërrimi i tyre në shkurtin e vitit të kaluar ende nuk kanë hyrë në funksion. Opozita, fajin kryesor për mosfunksionimin e tyre edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit ua vë institucioneve shtetërore, konkretisht Qeverisë së Kosovës. Gjatë debatit të nxehtë për çështjen e protokollit të policisë, të nënshkruar ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, kishte zotime nga EULEX-i dhe ICO-ja se do të riktheheshin në funksion pikat kufitare 1 dhe 31. Zëvendëskryeministri i Kosovës është ankuar se sa i përket doganave, Kosova ka qasje të pjesshme në dogana apo të përgjysmuar...
XS
SM
MD
LG