Ndërlidhjet

Obama mbajti fjalimin e parë në OKB



Presidenti amerikan Barak Obama ka mbajtur fjalimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Obama u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin më shumë përgjegjësi në konfrontimin me sfidat globale.

Ai beson se janë katër çështje kryesore që sigurojnë të ardhmen: çarmatimi bërthamor, promovimi i paqes dhe i sigurisë, ruajtja e planetit dhe një ekonomi globale, që i ofron mundësi të gjithë njerëzve.

Obama tha se Irani dhe Koreja Veriore po kërcënojnë “një tatëpjetë të rrezikshme” me programet e tyre bërthamore dhe duhet të mbahen përgjegjëse nëse vazhdojnë të punojnë në këto programe.

Ai, po ashtu theksoi rëndësinë e arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Obama tha se në këtë kuptim, duhet të njihet e drejta e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri.

Ai tha se ndërtimi i kolonive në Bregun Perëndimor nga ana e Izraelit nuk është legjitime dhe po pengon përparimin në rrugën drejt paqes.

Liderët nga më shumë se 120 vende të botës janë mbledhur në Nju Jork në takimin e 64 të Asamblesë së Prrgjithshme të OKB-së.

Në mesin e liderëve, që do t’i drejtohen Asamblesë janë edhe ai Libisë, Muhamer Gadafi, që do ketë paraqitjen e tij të parë në Asamble në 40 vjetët e pushtetit të tij si dhe presidenti iranian Mahmud Ahemdinexhad.
XS
SM
MD
LG