Ndërlidhjet

“Tadiq thotë se u ka kërkuar falje edhe shqiptarëve”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Konfrontimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë gjatë ditëve të fundit të muajit shtator është bartur në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku po mbahet takimi i 64-t vjetor i Asamblesë së Përgjithshme. Derisa diplomacia kosovare në ditët e para të qëndrimit në OKB është takuar me zyrtarë të vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën, paraqitjet publike të liderëve të Beogradit kanë shërbyer për të shprehur kundërshtinë ndaj shtetësisë së Kosovës. Madje, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nuk ka ngurruar që të shërbehet me të pavërteta kur ka folur për Kosovën dhe popullatën e saj...

LAJM
Delegacioni i Kosovës ka filluar fuqishëm turneun lobues në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Përderisa Asambleja e Përgjithshme hapi të mërkurën debatin e përgjithshëm për sesionin vjeshtor, ku po marrin pjesë liderë nga 192 vendet anëtare, presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, nga ana tjetër, në selinë e OKB-së po zhvillojnë një sërë takimesh me përfaqësues vendesh të ndryshme me kërkesë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë marrë këtë vendim. Të mërkurën pasdite, në selinë e OKB-së, Sejdiu e Hyseni u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Amr Mousa, nga i cili kërkuan që vendet anëtare të kësaj organizate, 21 sish sa janë, të përshpejtojnë hapat për njohjen e Kosovës...

INFOPRESS
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së fundmi ka filluar fushatën mediale për t’i njoftuar qytetarët se si mund t’i ndjekin procedurat për të pasur mundësi të jenë votues në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Disa kategorive të qytetarëve tanimë nuk u hyjnë në punë këto reklama që KQZ ka filluar t’i transmetojë në mediat kryesisht vizive të vendit. Qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të aplikojnë për të votuar vetëm deri më datë 15 shtator, ndërsa në këto reklama atyre ende u bëhet thirrje për të votuar, duke ndjekur formën e cila u shpjegohet. “Periudha e aplikimit për të votuar në zgjedhjet e 15 nëntorit nga qytetarët e Kosovës që ndodhen jashtë vendit, ka përfunduar. Ky afat ka qenë prej datës 1 deri më 15 shtator”, ka thënë Fehmi Ajvazi, zyrtar për informim në KQZ...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë nënshkruan të mërkurën një protokoll bashkëpunimi për donacion në vlerë 42 milionë euro, që ishte pjesë e zotimit nga Konferenca e donatorëve, ndërsa këto mjete u tha se do të investohen në infrastrukturë publike, energjetikë, promovimin e punësimit, administratë publike etj. Gjermania do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike. Kështu u tha në simpoziumin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, i cili në epiqendër kishte thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve...

EXPRESS
Qendrat e partive i kanë pothuaj të qarta synimet se ku duan dhe ku mund të arrijnë sukses në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit. Pasi kanë kaluar muaj duke shqyrtuar emra të kandidatëve për kryetarë të komunave, ato tashmë janë zhytur në procesin e analizave dhe pritjeve se çka do të sjellin emrat, të cilëve u është besuar gara. Në parim, secila parti thotë se asnjë komunë nuk përbën ndonjë dallim nga tjetra në garën për ta marrë kontrollin. Por, pothuaj secila prej tyre ka një komunë apo regjion të veçantë ku e ndjen se e ka më të lehtë depërtimin në elektorat...

ZËRI
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e Parlamentit Evropian për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajimin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Këto kërkesa Krasniqi i bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje me një delegacion europarlamentarësh, që kryesohej nga Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian. Me këtë rast. Lunacek, eurodeputete e të gjelbërve nga Austria, tha se pas zgjedhjeve të mbajtur, Parlamenti Evropian është në konsolidim e sipër, por, sipas saj, shumica e deputetëve të këtij parlamenti e mbështet përfshirjen e të gjitha vendeve të Evropës në liberalizimin e vizave...

BOTA SOT
Sllavët janë përfituesit më të mëdhenj të trojeve shqiptare të copëtuara padrejtësisht, e duket se po këta po hapin “shtigjet” për t’u ribashkuar. E ashtuquajtura “Enciklopedia maqedonase” de facto hap rrugën e bashkimit kombëtar. Kështu të paktën mendojnë shumica e historianëve dhe analistëve në Kosovë. Ata e argumentojnë këtë çështje me vetë faktin se nëse një grup njerëzish, të cilët kanë kontradikta të mëdha mes vete se cilit komb i përkasin, në këtë rast maqedonasit, ne shqiptarët që kemi një komb, një gjuhë, një territor, një të kaluar të përbashkët, kemi gjasa të mëdha për të mbrojtur dhe çuar përpara këtë të drejtë të pakontestueshme për vetëvendosje...

EPOKA E RE
Procesi i decentralizimit, bartja e kompetencave në komuna dhe zgjedhjet lokale në Kosovë ishin tema të diskutimit në mes të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell. Ministri Sadri Ferati ka thënë se procesi i decentralizimit dhe reforma në pushtetin lokal kanë shënuar progres dhe po vazhdojnë të zbatohen me maturi në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ministri Ferati për realizimin e procesit të decentralizimit ka përmendur si rezultat të suksesshëm bartjen e kompetencave në komuna, posaçërisht në fushën e përkujdesjes sociale dhe të shërbimeve publike, si dhe emërimin e ekipeve përgatitore për komunat e reja në Graçanicë, Kllokot dhe Ranillugë...
XS
SM
MD
LG