Ndërlidhjet

“Projekt i gabuar apo ndërtues të dobët”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka zhvilluar takime të shkurtra me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Presidenti Obama organizoi të mërkurën në Nju Jork pritjen tradicionale vjetore për presidentët botërorë, respektivisht për presidentë dhe udhëheqës shtetesh të botës, të cilët po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Sejdiu e ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e deritashme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, si dhe shprehu besimin se marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve do të forcohen edhe më tutje...

INFOPRESS
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka vazhduar serinë e takimeve me zyrtarë të lartë shtetesh në Nju Jork. Ku po vazhdon punimet sesioni i 64-t i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Hyseni ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Shteteve Arabe. Amr Mousa, me të cilin ka folur për procesin e njohjeve dhe rëndësinë e intensifikimit të tyre, si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizma ndërkombëtarë. Ai ka ftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe që të vizitojë Kosovën, ndërsa, në anën tjetër, edhe Mousa i ka shprehur Hysenit mirëseardhjen e tij në selinë e Ligës së Shteteve Arabe në Kajro të Egjiptit...

KOSOVA SOT
Udhëheqësit e Doganave të Kosovës dhe Shqipërisë, së shpejti, do të nënshkruajnë një marrëveshje ndërshtetërore, që në emër të Kosovës e kishte nënshkruar UNMIK-u. Doganat e Kosovës dhe ato të Shqipërisë do ta thellojnë bashkëpunimin në shumë drejtime. Në radhë të parë, zyrtarët e të dy institucioneve do të angazhohen për krijimin e lehtësirave që qarkullim të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe plotësimin e kushteve për menaxhimin e integruar të kufijve. Drejtorët e doganave të të dy vendeve diskutuan për ngritjen e mëtejshme të bashkëpunimit, me qëllim të krijimit të lehtësirave gjatë qarkullimit, por edhe luftimit të kontrabandës dhe evazionit tatimor...

EXPRESS
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë po vazhdon hartimin e tekstit të protokolleve për dogana dhe drejtësi, por vetëm në bashkëpunim me Brukselin. Për përmbajtjen e dy drafteve, që ende janë në fazën fillestare, nuk janë informuar institucionet e Kosovës dhe as Beogradi. Njëjtë si protokollin policor, edhe dy protokollet e reja, EULEX planifikon t’i nënshkruajë me autoritetet serbe. “Ende jemi në fazën e draftit interno. Po diskutohet brenda EULEX-it dhe drafti deri më tash është ndarë vetëm me Brukselin. Drafti nuk i është dhënë Qeverisë së Kosovës dhe sigurisht jo Beogradit”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, të enjten për “Express”...

ZËRI
Komisioni Evropian pritet të publikojë paralelisht Raportin e Progresit si dhe atë të procesit të fizibilitetit për Kosovën më 14 tetor, që pritet të jenë edhe udhëzues për Kosovën në reformat politike dhe ekonomike për integrim në BE. Këto raporte vlerësohet se kanë një rëndësi të dyanshme. E para, ato paraqesin një pasqyrë për Komisionin Evropian lidhur me shkallën e të arriturave në Kosovë dhe, e dyta, u shërbejnë institucioneve të Kosovës për të parë se ku në të vërtetë është Kosova në procesin e integrimeve. Ndonëse pritjet në Prishtinë janë të mëdha, megjithatë mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas burimeve qeveritare, sërish mund ta përjashtojë Kosovën nga disa procese...

BOTA SOT
Të enjten ka filluar afati 30 ditësh për pranimin e ofertave për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të ekzekutojë punimet e autostradës Morinë-Merdare. Në garë konkurrojnë shtatë kompanitë e parakualifikuara. Kompanitë kanë një muaj afat t’i dorëzojnë ofertat për ndërtimin e autostradës, kurse punimet do të fillojnë një muaj pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese. Mevludin Krasniqi, këshilltar i ministrit Fatmir Limaj, shpreson se gjatë muajit nëntor edhe do të fillojnë punimet për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Morinë...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë të enjten se për t’u kaluar me sukses procesi i l;liberalizimit të vizave, krahas përgatitjeve teknike të institucioneve të Kosovës, është e nevojshme edhe mbështetja politike e Bashkimit Evropian. Këto komente ministri Pajaziti i ka bërë pas takimit me delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek. “Kemi dhënë premtimin se do ta vazhdojmë rrugën drejt integrimeve evropiane dhe se do t’i zbatojmë detyrimet tona që kanë të bëjnë me plotësimin e kritereve...”, ka theksuar Pajaziti...

KOHA DITORE
Maqedonia nuk është as projekt maqedonas, as projekt shqiptar. Maqedonia është dhe do të mbetet projekt ndërkombëtar, i mbështetur mbi qëllimet e mira që në këtë “arë të askujt” të krijohen kushte të volitshme për mbjelljen e farës së konceptit “multi-kulti”, nga e cila farë do të mbijë bima “frytdhënëse” e tolerancës dhe respektimit të dallimeve mes njerëzve, bimë e cila aq shumë do t’i joshë ballkanasit e tjerë, sa të gjithë do të duan ta kultivojnë nëpër arat e tyre shtetërore...
XS
SM
MD
LG