Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është takuar në Nju Jork me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit Stjuart Xhons.
Në takim, presidenti Sejdiu ka kërkuar, që SHBA-të “ta vazhdojnë mbështetjen e tyre jetike që po i ofrojnë Kosovës si në sigurimin e njohjeve të pavarësisë, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike”, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës për Informim të Presidencës.
Njoftohet se Xhons e ka siguruar Sejdiun për “punën e palodhshme që SHBA po bën për të mirë të Kosovës në të gjitha sferat”.
Presidenti Sjediu në Nju Jork ka takuar edhe homologun e tij kroat Stjepan Mesiq dhe atë të Letonisë Valdis Zatlers.
Në anën tjetër, gjatë qëndrimit në Nju- Jork, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, është takuar me sekretarin e Vatikanit pёr Marrёdhёnie me Shtetet, kryepeshkopin Dominique Mamberti.
Hyseni ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Vatikani.
Ministri Hyseni në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka zhvilluar edhe takime të tjera me delegacione te ndryshme.