Ndërlidhjet

SHBA, Britania dhe Franca akuzojnë Iranin


Barak Obama, Gordon Braun dhe Nikola Sarkozi
Barak Obama, Gordon Braun dhe Nikola Sarkozi

Presidenti amerikan, Barak Obama, e akuzoi Iranin për ndërtimin e një uzine të fshehtë bërthamore. Ky qëndrim u mbështet nga Britania dhe Franca. Teherani ka njoftuar se ndërton edhe një uzinë bërthamore.



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka akuzuar Iranin se tashmë disa vjet po ndërton uzinë të fshehtë për karburant bërthamor dhe i kërkoi Teheranit që t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare për mosproliferimin bërthamor.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp bashkë me kryeministrin britanik, Gordon Braun, dhe presidentin francez, Nikolas Sarkozi, në Samitin e G20-ës në Pitsburg, presidenti Obama i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) që menjëherë ta hetojë informatën.

"Ekzistimi i kësaj uzine e nënvizon mosgatishmërinë e Iranit që t’i përmbushë detyrimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kërkesat e agjencisë. Presim që ANEB menjëherë ta hetojë këtë informatë shqetësuese dhe t’i raportojë Bordit të guvernatorëve të agjencisë”, tha presidenti Obama.

Presidenti amerikan i quajti aktivitetet e Iranit “sfidim direkt” të regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe tha se është koha që Teherani të veprojë menjëherë për ta rikthyer besimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Qëndrimin e përbashkët të tri shteteve e shprehu kryeministri britanik, Gordon Braun.

“Amerika, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë të njëjtin qëndrim: programi bërthamor i Iranit është sfida më urgjente e proliferimit, me të cilën sot bota përballet”, tha kryeministri Braun.

Më herët, Irani tha se e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore se është duke e ndërtuar uzinën e dytë bërthamore.

Zëdhënësi i agjencisë, Mark Vidriker, tha se më 21 shtator, Irani e ka njoftuar trupin e Kombeve të Bashkuara se po ndërton një uzinë, e cila do të prodhojë karburant bërthamor vetëm për elektrana.

Vidriker tha se agjencia ka kërkuar që Irani të ofrojë informata specifike dhe qasje në uzinë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por kreu i programit bërthamor të Iranit ka deklaruar se nuk është sekret uzina për pasurimin e uraniumit, ekzistenca e të cilës u bë publike sot.

“Ky instalim nuk është sekret, prandaj ekzistencën e tij ia kemi bërë të ditur Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”, citohet të ketë thënë Ali Akbar Salehi, i cili nuk ka sqaruar se sa kohë po zgjat ndërtimi i kësaj uzine apo kur do të përfundojë.

Teherani është i obliguar ta informojë agjencinë se po ndërton uzinë të re bërthamore 180 ditë përpara se të vendosë materiale radioaktive në të.
XS
SM
MD
LG