Avokatët e regjisorit Roman Polanski kanë kërkuar zyrtarisht nga një gjykatë zviceriane që ta lirojë atë nga burgu, ku po mbahet në lidhje me akuzat për një rast dhunimi në vitin 1977 në SHBA.
Gjykata Federale për Krime Penale, që ka pranuar kërkesën e Polanskit për lirim, ka thënë se “vendimi do të merret brenda javës së ardhshme”.
Polanski shpreson të luftojë ekstradimin nga Zvicra në Kaliforni, ku do të përballej me akuzat se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur në vitin 1977.
76 vjeçari, Polanski, me nënshtetësi franceze, u arrestua ndërsa po udhëtonte në Zvicër, ku në një festival filmi do të shpërblehej.
Më shumë se 70 figura të industrisë së filmit kanë nënshkruar një peticion për lirimin e tij.