Ndërlidhjet

Referendumi irlandez, fundi i një epoke për BE-në


Irlandë - Votimet për Traktatin e Lisbonës, 2 tetor 2009.
Irlandë - Votimet për Traktatin e Lisbonës, 2 tetor 2009.

Votuesit irlandezë sot u janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar fatin e Traktatit të Lisbonës. Pavarësisht rezultatit, politikanë e analistë janë të mendimit se kjo shënon fundin e një periudhe për Unionin.


Votuesit irlandezë do të vendosin për fatin e Traktatit të Lisbonës, përpjekja e dytë e Unionit, pas zgjerimit me 12 vende të reja në periudhën 2004 – 2007.

Politikanët evropianë ndajnë të njëjtin mendim rreth faktit se kjo është mundësia e fundit e Traktatit për të ardhur në fuqi.

Në qershor të vitit 2008, votuesit irlandezë i thanë jo Traktatit, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.

Anketat tregojnë se kampi që mbështet Traktatin e Lisbonës mund të fitojë në votimin e radhës, por kjo nuk do të thotë se e ardhmja e dokumentit është e garantuar. Kjo bëhet më e qartë duke pasur parasysh kundërshtimet çeke e polake.

Nëse miratohet, Traktati i Lisbonës parasheh një mori ndryshimesh institucionale për Bashkimin Evropian.

Në mesin e ndryshimeve përfshihen: zgjedhja e një presidenti të BE-së, forcimi i kompetencave të shefit të politikës së jashtme dhe ndryshimet në votim, që do të përputhen më mirë me madhësinë e shtetit. Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian do të marrë pushtet më të madh.

Por, aktualisht, në selinë e Bashkimit Evropian dhe tek institucionet e BE-së ndihet një lloj zymtësie dhe lodhje nga Traktati.

Përpjekjet e Unionit për t’u përmirësuar dhe kundërshtimi që kanë hasur këto përpjekje në referendumet e vendeve të ndryshme kanë zbehur energjitë e BE-së.

Një ‘jo’ e dytë irlandeze për Traktatin e Lisbonës do të ishte fundi i këtij dokumenti, thotë Janis Emanoulidis, nga Qendra për Politika Evropiane.

“Nëse irlandezët thonë ‘jo’, çfarë nuk besoj se do të ndodhë, kjo do të thotë se Traktati i Lisbonës është i vdekur. Hapi tjetër do të jetë një reflektim se çfarë duhet bërë, por duhet dhe një kohë për ta marrë veten nga zhvlerësimi i Traktatit”, thotë Emanoulidis.

Kryeministri irlandez ka përsëritur shumë herë se nuk do të ketë një referendum të tretë për Traktatin e Lisbonës.

Udhëheqës të ndryshëm evropianë janë përpjekur ta kërcënojnë Irlandën, duke thënë se e ardhmja e Dublinit në BE është në pyetje.

Në takime të mbyllura, politikanët evropianë e pranojnë se ka shumë pak mundësi për të ndëshkuar Irlandën nëse kundërshton Traktatin.

Por, jo vetëm ‘jo’-ja irlandeze do të shkaktojë probleme. Edhe ‘po’-ja irlandeze do t’i ketë komplikimet përkatëse, thotë Emanoulidis.

“Edhe në rast se kemi një ‘po’ nga Irlanda, situata është e komplikuar. ‘Po’-ja irlandeze nuk do ta mbyllë procesin e miratimit, pasi ka ende probleme, veçanërisht me çekët. Po ashtu, edhe gjendja në Poloni nuk është e përcaktuar. Presidenti polak ka premtuar ta nënshkruajë Traktatin nëse e miraton Irlanda”, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Janis Emanoulidis.

Pavarësisht rezultatit të referendumit irlandez, koha e projekteve të mëdha evropiane ka përfunduar, së paku për një të ardhme të afërt. Politikanët në Bruksel po mbështeten gjithmonë e më shumë tek një nga themeluesit e Bashkimit Evropian, Zhan Mone, i cili mbështeste integrimin hap pas hapi.

Gjermania e ka bërë të qartë se edhe nëse miratohet Traktati i Lisbonës, BE-ja ka nevojë për një periudhë të pacaktuar reflektimi përpara ndonjë zgjerimi të mundshëm.

Franca ka qëndrim të ngjashëm me Gjermaninë. Duket se Kroacia do të mund të anëtarësohet deri vitin tjetër, kurse vendet e tjera do të duhet të mbeten në pritje, së paku në një të ardhme të afërt.
XS
SM
MD
LG