Ndërlidhjet

ElBaradei: Irani i lejon inspektimet



Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Mohamed ElBaradei, tha se inspektorëve të agjencisë u është mundësuar qasje në uzinën e re për pasurimin e uraniumit në Iran.

Në një konferencë për shtyp në Teheran, ElBaradei tha se zyrtarët iranianë janë dakorduar që inspektorët e agjencisë ta vizitojnë uzinën në 25 tetor.

Fuqitë botërore, të cilat dyshojnë se Irani po përpiqet të ndërtojë bombë bërthamore, kanë kërkuar që Irani të lejojë inspektimin e plotë të uzinës së re, e cila është ndërtuar afër qytetit Kom.

“Na duhet transparencë nga ana e Iranit dhe na duhet bashkëpunimi nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Shoh se tani jemi një pikë kritike. Shoh se po shnmangemi nga konfrontimi në transparencë dhe bashkëpunim”, tha El Baradei.

Ai tha se ky është një çast kritik kur të gjitha palët duhet të ulen bashkë dhe të fillojnë të ndërtojnë besimin e ndërsjellë.

“Kjo është rruga që na duhet lidhur me çëshjten bërthamore dhe për një varg çështjesh, mbi të cilat Irani dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojnë, me shpresë që të arrijnë në pikën ku Irani do të jetë plotësisht i integruar brenda bashkësisë ndërkombëtare”, tha El Baradei.

ElBaradei poashtu tha se zyrtarë amerikanë, francezë, rusë dhe iranianë do të takohen në Vjenë në 19 tetor.

Ndërkohë, e përditshmja amerikane “Nju Jork Tajms”, sot raportoi se një analizë konfidenciale e personelit të agjencisë ka konkluduar se Irani ka siguruar “informata të mjaftueshme që të jetë në gjendje ta dizajnojë dhe prodhojë” bombën bërthamore bazuar në uraniumin e pasuruar.
XS
SM
MD
LG