Ndërlidhjet

Shpërndahet redaksia që hartoi enciklopedinë



Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, vendosi të shpërndajë redaksinë që hartoi enciklopedinë tepër kontestuese për shqiptarët, si dhe sanksionoi formimin e një redaksie të re, që do të bëjë korrigjimet kontestuese të kësaj vepre.

Për këtë enciklopedi, për herë të parë është distancuar edhe vetë Akademia.

Pas shpërndarjes së redaksisë së kryesuar nga Bllazhe Ristovski, redaksia e re me përfaqësues eminent të bashkësive etnike, do të bëjnë korrigjimin e historisë dhe marrëdhëniet shoqërore në vend, veçanërisht në pjesën për shqiptarët dhe marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, si dhe SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat thuhej se kishin stërvitur ish UÇK-në në Maqedoni.

Redaksia e re duhet të formohet brenda një muaji.

Vendimi i kryesisë së akademisë është përshëndetur nga qeveria në Shkup, e cila ka shprehur bindjen se problemet e krijuara do të zgjidhen brenda vetë institucionit të akademisë.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere tha se ky do jetë shans i shkëlqyer që akademikët, të diskutojnë bashkërisht këto çështje dhe t’i zgjidhin në frymën e mirëkuptimit dhe besimit midis komuniteteve, e jo të ndarjeve.
XS
SM
MD
LG