Ndërlidhjet

Obama fitues i çmimit Nobel për Paqe


Presidenti amerikan, Barak Obama, është fitues i çmimit Nobel për Paqe për këtë vit, njoftoi Komiteti për Çmimin Nobel i Norvegjisë në Oslo.

Ky komitet njoftoi se për presidentin Obama kishin arritur më tepër se 200 nominime.

Në arsyetim të Komitetit, pos tjerash, thuhet se po e nderonte zotin Obama me këtë çmim për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve”.

“Shumë pak njerëz kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, në shkallën siç ishte Obama, që popullit të tij i ka dhënë shpresë për të ardhme më të mirë”, tha Komiteti Norvegjez për çmimin Nobel.

Poashtu, u tha se e rëndësisë së veçantë është vizioni i presidentit Obama për të punuar për një botë pa armatim bërthamor.

“Si president, Obama ka krijuar një klimë të re në politikën ndërkombëtare. Diplomacia multilaterale përsëri e ka zënë pozitën kryesore, me theks në rolin, që duhet ta luajnë Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare”, theksoi Komiteti Norvegjez.

Barak Husein Obama, i lindur në 4 gusht, 1961, në Havai, është presidenti i 44 i Shteteteve të Bashkuara.

Ai diplomoi në shkencat politike në Universitetin Kolimbia në Nju Jork, ndërsa doktoroi në shkencat juridike në Harvard.

Në vitet 1992-1995 ishte avokat dhe ligjërues i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Çikagos.

Anëtar i Senatit të shtetit Illinois u zgjodh në vitin 1996, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh anëtar i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2005, revista “Tajm” e radhiti në mesin e 100 personave më me ndikim në botë.

Në shkurt, 2007, Obama shpalli se do të kandidohet për president të Shteteve të Bashkuara.

Obama është i martuar, kurse e shoqja Mishel është avokate. Ata kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.
XS
SM
MD
LG