Ndërlidhjet

Nobeli për Obamën, çmim kundër Bushit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Mediat amerikane janë të ndara rreth marrjes së çmimit Nobel për Paqe nga presidenti Barak Obama. Por, duket se pajtohen me idenë se çmimi është një shenjë kundërshtimi ndaj politikave të ish-presidentit Xhorxh Bush.


Presidenti Obama bëri reagimin e duhur pas lajmit për marrjen e çmimit Nobel për Paqe. Ai tha se ishte i prekur dhe pranoi faktin se përpjekjet, për të cilat ai u nderua me çmim, janë vetëm në fillim.

Zoti Obama premtoi të vazhdojë me realizimin e tyre, por jo i vetëm, në bashkëpunim me kombet e tjera, shkruan NYT (New York Times).

Çmimi është dhe një lloj dënimi ndaj presidencës Bush. Kundërveprimi ndaj veprimeve negative të presidencës Bush, është një nga arritjet më të mëdha të presidentit Obama në më pak se dhjetë muaj në detyrë.

Presidenti Obama ka çuar përpara pozicionin amerikan në botë duke hequr dorë nga tortura, madje duke shtuar se do të mbyllej burgu i Guantanamos, ka theksuar se do t’i bashkohej vendeve të tjera në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të krijuar një botë pa armë bërthamore.

Po kështu, presidenti Obama ka premtuar t’i japë fund konfliktit izrealito-palestinez dhe të përfshihet me Iranin që të gjendet një zgjidhje lidhur me programet bërthamore.

Zoti Obama nuk e kërkoi çmimin. Çmimi është një kujtesë e jashtëzakonshme për pritjet e mëdha që janë ndaj tij, si dhe sjell në fokus ato që Obama duhet të bëjë për ta shndërruar botën dhe Amerikën në vend më të sigurt.

Amerikanët e zgjodhën zotin Obama, sepse dëshironin të rikthenin vlerat amerikane dhe udhëheqjen amerikane. Por, edhe për faktin se ai mundej ta bënte një gjë të tillë.

Çmimi Nobel për Paqe dhe mbështetja që e shoqëroi çmimin është tregues se sa shumë njerëz në gjithë botën dëshirojnë të njëjtën gjë, përfundon shkrimi në Nju-Jork Tajms.

Në dallim nga NYT, e përditshmja WSJ (Wall Street Journal) ka qenë kritike ndaj çmimit Nobel për Paqe për presidentin amerikan.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka fyer veten dhe ka zhvlerësuar një çmim të madh me kuptim të madh, shkruan WSJ.

Çmimi Nobel për Paqen ka qenë diçka e mirë. Kur atë e fitoi në vitin 1979 Nënë Tereza, pasi kishte jetuar për 30 vjet me më të varfrit e më të varfërve, ne thamë “Je më e mira që kemi”.

Ajo jetoi një jetë heroike. Kur Nelson Mandela padrejtësisht vuajti 27 vjet burg, e doli prej tij pa hidhërim e zemërim ai ishte një hero. Jeta e tij ishte frymëzuese për botën.

Më të diskutuara kanë qenë çmimet Nobel për Paqe dhënë politikanëve, siç ishte rasti i presidentit Uillson, apo më vonë ish-presidentit Karter dhe ish zv/presidentit Al Gor.

Me gjithë kundërshtimet, të gjithë kishin kontribuar kohë dhe energji në çështje të caktuara. Është absurde që ky çmim nuk iu dha asnjëherë dikujt si Ronald Regani, projekti politik i të cilit u dha fund gulagëve dhe çoi në rënien e Murit të Berlinit.

Megjithatë, askush nuk u ankua.

Por, t’i japësh çmimin presidentit Obama, është absurde. Ai nuk ka bërë ndonjë punë të madhe, është i ri, ka qenë president për më pak se dhjetë muaj dhe ka pasur shumë pak arritje.

A është jeta e tij heroike dhe e mbushur me vetëmohim apo sakrifica për diçka më të madhe?

Përgjigja është ‘jo’. ‘Jo’ është përgjigjja edhe për pyetjen nëse ai ka dhënë ndonjë kontribut në paqen botërore.
XS
SM
MD
LG