Ndërlidhjet

Shkup: Miratohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit




Qeveria e Maqedonisë mbrëmë para mesnate ka miratuar informatën për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe tekstin e harmonizuar të marrëveshjes për demarkacionin fizik të kufirit mes dy shteteve, thuhet në njoftimin e Qeverisë në Shkup.

Në komunikatën e publikuar thuhet se është miratuar edhe propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin fizik të kufirit mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, dhe i njejti i është dorëzuar për miratimin Kuvendit të Maqedonisë.

Mbledhja e Kuvendit do të mbahet gjatë ditës së sotme, por ndaj këtij vendimi të Qeverisë ka reaguar Lidhja Socialdemokrate Maqedonisë e cila përmes një komunikate tha se nuk pajtohet që kjo çështje të shqyrtohet me urgjencë kaq të madhe, pasi sipas saj me një qasje të tillë krijohet dyshimi në opinion se pas gjithë kësaj, diçka fshihet.

Përkundër kësaj, opozita maqedonase njoftoi pjesmarrjen në seancën e Kuvendit për të penguar si­ç u shpreh që kjo çështje të kalojë në mënyrë “konspirative pas shpinës së popullit”.

Pas miratimit të këtij dokumenti në Kuvend pritet që edhe formalisht të vendosen marrëdhëniet diplomatikes mes Shkupit dhe Prishtinës. Kjo paraprakisht u paralajmërua edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Mund të ndodhë nesër, mund të ndodhë pasnesër, mos më kapni për 24 orë”, tha zoti Ahmeti, duke theksuar se “ka klimë të mirë, ka ambient të mirë në mes të dy shteteve, që përfundimisht të zgjidhet kjo çështje, sepse është në dobi edhe të Maqedonisë edhe të Kosovës”.

Sipas tij, kjo do të ishte edhe një “porosi mjaft e mirë për komunitetin ndërkombëtar, në veçanti për Bashkimin Evropian, se tashmë shtetet në Ballkanin Perendimor janë pjekur të vendosin dhe vetë t’i zgjidhin problemet”.
XS
SM
MD
LG