Astronomët kanë hedhur një shikim shumë mbrapa në kohë, duke e parë shpërthimin më të vjetër deri më sot, i cili ka ndodhur 13 miliardë vjet më parë, vetëm pak kohë pas lindjes së Universit.
Astronomët i gjurmuan rrezet gama të shpërthimit, të quajtur GRB 090423, për ta parë dritën nga ylli masiv që u shua 630 milionë vjet pas Shpërthimit të Madh, i cili paraqet lindjen e Universit, shkruan revista shkencore “Natyra”.
“Rrezet gama kanë dalë nga shpërthimet më të mëdha në univers”, tha Bing Zhang, nga Universiteti i Nevadës.
“Besohet se ngjarjet kataklizmike, siç është kolapsi i një ylli masiv, janë shoqëruar me formimin e vrimave të zeza dhe me yje neutronike të magnetizuara”, shkruan ai në revistën.
Nial Tanvir, profesor në Universitetin Leicester dhe autor kryesor i studimit, tha se "ky observim na mundëson që të fillojmë ta eksplorojmë pikën e fundit të zezë në hartën e Universit".
Bashkautor i studimit është edhe Endrju Liven, profesor në Universitetin Uorvik në Britani.
"Është jashtzakonisht emocionuese që të shoh mbrapa në kohë, në epokën kur yjet e para sapo kanë filluar të ndriçojnë", tha Liven.
Vdekja e yllit ka qenë mjaft e ndritshme për t’i ndriçuar madje edhe galaksitë dhe do t’u ndihmojë shkencëtarëve të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në ditët e para të Universit.
Bëhet e ditur se shpërthimi ka ndodhur kur Universi ka qenë vetëm pesë për qind i vjetër nga ajo që është sot.
Rekordi i mëparshëm i vëzhgimit më të vjetër në kohë ishte 150 milionë vjet më pak se rrezet gama që sapo u zbulan.
(V.P.)