Ndërlidhjet

Të drejtat e njeriut - përparësi për Obamën?


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

Gjatë nëntë muajve të parë, administrata Obama është përballur me vështirësi të ndryshme, përfshirë dy luftëra dhe recesionin global. Së fundi, administrata po përballet me kritika në rritje lidhur me qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut. Gjatë javës që po lëmë pas, tema e të drejtave të njeriut në politikën e jashtme amerikane ishte në qendër të seancës dëgjimore në Komisionin e Helsinkit.



Kongresmeni amerikan, Bexhamin Kardin, përpara Komisionit të Helsinkit tha se ishte i inkurajuar nga qëndrimet e presidentit Obama lidhur me të drejtat e njeriut.

Kardin, që njëherësh është drejtues i Komitetit të Helsinkit në Kongres, nënvizoi në mesin e angazhimeve të administratës Obama mbylljen e burgut në Guantanamo dhe dhënien fund të teknikave të ashpra të hetimit.

Por, me gjithë angazhimet, duket se të drejtat e njeriut nuk renditen shumë lart në përparësitë e presidentit Obama.

“Dua të nënvizoj se në vizitat e rëndësishme ndërkombëtare, të drejtat e njeriut nuk kanë qenë në qendër të vëmendjes. Mendoj se kjo është një çështje që duhet korrigjuar dhe adresuar. E jap këtë këshillë si mik”, tha kongresmeni Kardin, i cili, ashtu si presidenti Obama, i takon Partisë Demokratike.

Një nga shembujt më të përfolur ishte vizita e Dalai Lamës në Uashington. Udhëheqësi shpirtëror i tibetianëve nuk u prit nga presidenti Obama, me justifikimin se do të priste deri pas vizitës së tij në Kinë, që do të zhvillohet në nëntor.

Ndihmës-nënsekretari i Shtetit, Filip Gordën, i cili ishte i pranishëm në seancën dëgjimore, tha se ka gjithmonë vend për të përmirësuar në këtë drejtim.

Ai shtoi se presidenti dhe Sekretarja e Shtetit po ua vënë theksin e duhur të drejtave të njeriut, veçanërisht në raportet me Rusinë dhe ish-republikat sovjetike.

Gordën solli shembullin e Bjellorusisë, ku Shtetet e Bashkuara po punojnë përmes angazhimit me qeverinë në përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, Komisioni i Helsinkit në Kongresin amerikan ngre dhe shqetësimet që lidhen me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vende të cilat Rusia synon t’i ketë në sferën e vetë të ndikimit.

Ndihmës-nënsekretari i Mbrojtjes, Aleksandër Vershbou, njëherësh ish-ambasador në Rusi, theksoi se gjatë vizitave të tij të fundit në Tbilisi dhe Kiev, ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin vetëm pavarësinë e tyre, por po ndihmojnë dhe në forcimin e institucioneve dhe ekonomive të këtyre vendeve.

“Këto janë vende sovrane që meritojnë mbështetjen tonë dhe ne jemi tepër të hapur rreth ndihmës. I kemi ngritur këto çështje edhe me Rusinë".

"Mendoj se derisa po përpiqemi për një fillim të ri të marrëdhënieve me Rusinë, duke krijuar më shumë hapësira të përbashkëta përmes bashkëpunimit, kjo do t’i japë Rusisë mjetet e nevojshme për të menaxhuar dallimet me Ukrainën e Gjeorgjinë dhe jo për të rritur më tej tensionet”,
tha Vershbou.

Një nga pyetjet që ngrihen më shpesh kur flitet për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, është hyrja e tyre në NATO.

“Mendoj se është shumë e vështirë të japësh afate kohore për anëtarësim në këtë fazë. NATO-ja ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm në takimin e Bukureshtit të vitit të kaluar, kur theksoi se këto dy vende do të bëhen vende të Aleancës".

"Tani janë ngritur mekanizmat që të dyja vendet të mund të tregojnë se po arrijnë standardet e NATO-s”,
tha Vershbou.

Mes të tjerash, gjatë debatit, kongresmeni Kardin theksoi se administrata Obama duhet të jetë më aktive edhe në OSBE. Ai shtoi se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara, jo thjesht të çojnë përpara interesat e tyre në këtë organizëm, por edhe parimet ndërkombëtare “te të cilat mbështetemi”.

Pa një udhëheqje të fortë amerikane, parimet e OSBE-së shpejt mund të zbehen, tha Kardin.
XS
SM
MD
LG