Ndërlidhjet

BDI: Me ose pa maqedonasit në NATO dhe BE


Shkup
Shkup

“Shqiptarët, me ose pa maqedonasit, do të hyjnë në NATO dhe BE, sepse nuk do të presin bisedimet e gjata për emrin me Greqinë”, ka porositur Bashkimi Demokratik për Integrim.

Shqiptarët në Maqedoni do të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në NATO “me ose pa maqedonasit sepse shqiptarët nuk do të presin bisedimet e gjata për emrin” me Greqinë, ka deklaruar nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafiz Haliti.

“Shqiptarët janë deklaruar për platformën në të cilën është shkruar Maqedonia në BE dhe në NATO. Për ne është me rëndësi që deri në dhjetor të ketë zgjidhje për emrin. Referendumi është çështje tjetër”, tha ai.

Haliti tha se anëtarësimi në NATO dhe BE ka qenë premtim parazgjedhor i partisë së tij, kështu që BDI-ja patjetër duhet ta plotësojë këtë zotim para votuesve të vet.

Në të kundërtën, Haliti ka thënë se situata mund të radikalizohet.

BDI i ka bërë thirrje Qeverisë që deri në dhjetor të dërgojë garanca të qarta te Athina dhe ndërkombëtarët se Maqedonia është e gatshme për kompromis dhe zgjidhje të kontestit me Greqinë.

Ky reagim i Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar paralajmërimin e kryeministrit Nikolla Gruevski mbi referendumin, të cilin qeveria planifikon ta shpallë, në mënyrë që qytetarët e Maqedonisë të deklarohen se a janë për ndryshimin e emrit të shtetit.

Gruevski e bëri këtë paralajmërim përkundër vërejtjeve të shefit të diplomacisë së BE-së Havier Solana dhe ambasadorit të BE-së në Shkup, Ervan Fuere se “referendumi nuk është zgjidhje e mirë për zgjidhjen e kontestit”.

Ndaj deklaratës së BDI-së, VMRO-DPMNE është përgjigjur se nuk pranon shantazhe për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar maqedonas.

Nga partia e Gruevskit thanë se nuk duhet të ngriten tensionet politike në vend në këtë kohë, dhe u bënë thirrje të gjitha partive politike, përfshirë dhe BDI-në, që të tregojnë konstruktivitet politik.

Kryeministri Gruevski sot bisedoi me liderin e opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski lidhur me takimin e fundit me kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreu.(V.P.)
XS
SM
MD
LG