Ndërlidhjet

Afganistan: Largohen 600 punonjës të OKB-së


Policia afgane në Kabul pas sulmeve terroriste të 28 tetorit
Policia afgane në Kabul pas sulmeve terroriste të 28 tetorit
Kombet e Bashkuara kanë zhvendosur përkohësisht më shumë se gjysmën e ekipit të tyre në Afganistan për arsye sigurie.

Rreth 600 punonjës të OKB-së janë vendosur në qendra më të sigurta brenda dhe jashtë Afganistanit.

Vendimi erdhi pas sulmit të 28 tetorit ndaj një qendre banimi të punonjësve ndërkombëtarë, ku mbetën të vdekur pesë anëtarë të ekipit të Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësi Alem Sidik tha se Kombet e Bashkuara ka thënë se ky hap evakuimi nuk do të pengojë operacionet e këtij misioni në vend.

“Mbetemi të përkushtuar për të siguruar vazhdimësinë e të gjitha programeve dhe aktiviteteve tona".

"Por, është e qartë se pas ngjarjeve të javës së kaluar, ne vërtetë duhet t’i shikojmë mundësitë që kemi për të siguruar personelin tonë që të vazhdojë programet dhe aktivitetet tona, duke mbrojtur njëkohësisht edhe sigurinë e tyre”,
ka thënë Sidik.

Vendimi gjithashtu vjen pikërisht në kohën kur presidenti amerikan, Barak Obama, pritet që brenda javësh të vendosë nëse do të miratojë kërkesën e komandantit të tij në Afganistan për dhjetëra mijëra ushtarë shtesë.

Që prej ardhjes së presidentit Obama në pushtet, forca amerikane në Afganistan është dyfishuar në nëntë muajt e fundit. (A.V.)
XS
SM
MD
LG