Ndërlidhjet

(S’)ka rikonfigurim të skenës politike


Analistët politikë nuk shohin shumë gjasa të rikonfigurimit të skenës politike në nivel qendror pas zgjedhjeve të 15 nëntorit. Sipas tyre, akuzat dhe kundër-akuzat mes partnerëve të koalicionit, synojnë mobilizimin e elektoratit për të votuar.



Ashpërsimi i fjalorit në javët e para të fushatës elektorale ndërmjet partnerëve të koalicioni nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në sytë e analistëve politikë kosovarë shihet më shumë si përpjekje për të vjelë vota në nivel lokal.

Rikonfigurimi i mundshëm i skenës politike më 16 nëntor, i përmendur edhe nga disa politikanë, sipas analistëve kosovarë, nuk ka shumë gjasa të ndodhë.

Ilir Deda nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), sheh një rënie të fjalorit akuzues.

“Për dy javë kemi pasur akuza dhe kundër-akuza ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, ku u krijua atmosfera se ai koalicion mes dy partive është i paqëndrueshëm”.

“Por, këto deklarata nuk i dëgjuam në katër ditët e fundit, që do të thotë se, ose të dy partitë kanë rënë në ujdi që ta vazhdojnë koalicionin dhe deri në ditën e zgjedhjeve të mos kenë akuza, ose ekziston një kompromis në LDK, që nuk është publik për qytetarët”,
shprehet Deda, i cili megjithatë, tërheq vërejtjen se nëse prapë do të ketë shkëmbim akuzash, koalicioni do të zhytet në krizë.

Kritikat mes partnerëve të koalicionit në ditët e kaluara shkuan aq larg, sa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, tha se Qeveria, me veprimet që po i bën, i kishte ditët e numëruara.

Kundërpërgjigja erdhi nga nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër, Hajredin Kuçi, i cili theksoi se me veprimet e saj, edhe LDK-ja nuk mund të ketë jetë të gjatë në Qeveri.

Megjithatë, krerët e dy partive nuk dhanë sinjale se koalicioni është në krizë.

Ndërsa, analisti Driton Lajçi thotë se koalicioni do të qëndrojë deri në zgjedhjet e ardhshme kombëtare, meqë, sipas tij, prishja e koalicionit nuk është në interes të askujt.

“Për faktin se ky koalicion tash për tash ka krijuar stabilitetin politik të nevojshëm dhe të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, po qe se do të ketë lëvizje të këtij koalicioni, atëherë do të hapen pyetje të reja, që do të rezultojnë me krizë politike”.

“E, kriza e tillë politike do të ndikonte në vendet, të cilat po mendojnë për njohjen. Mendoj se edhe miqtë e Kosovës do të sugjerojnë ruajtjen e koalicionit për hir të stabilitetit”,
thekson Lajçi.

Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas Ilir Dedës, po ashtu shihet si një faktor, që nuk do të lejojë prishjen e koalicionit dhe shpalljen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nuk mendoj se do të ketë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë para përfundimit të procesit në GJykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, pohon Deda.

Por, kthimi në normalitet pas ditës së zgjedhjeve dhe vazhdimi i koalicionit PDK-LDK, duke lënë mënjanë kritikat e bëra në fushatë, sipas Dedës, do të linte në dilema, në veçanti, elektoratin e LDK-së.

“Unë, megjithatë, mendoj se elektoratit duhet t’i jepet një përgjigje se pse atëherë u desh të ketë kësi lloj konfrontimi politik në mes të dy partive politike, të cilat e qeverisin Kosovën. Unë pres që të ketë një debat të brendshëm në LDK pas 15 nëntorit se çka do të bëhet më tutje”, thekson Deda.

Në anën tjetër, kritikat e para të hapura për njëri-tjetrin, që kur koalicioni PDK-LDK nisi qeverisjen e vendit, pas zgjedhjeve të 2007-ës, sipas analistit Driton Lajçi, tregojnë se koalicioni nuk ka themele të forta.

“Ky koalicion nuk është 'i betonuar' dhe mbase këto janë shenjat e para, që nënshkruesit e këtij koalicioni obligohen të fillojnë të mendojnë ndryshe”, shprehet Lajçi.

Ndryshe, në PDK dhe LDK ka zëra që thonë se kritikat e shkëmbyera në adresë të njëra-tjetrës, janë në frymë të fushatës dhe nuk do ta dëmtojnë funksionalitetin e institucioneve të Kosovës.

Por, ka të tjerë, si Hajredin Kuçi i PDK-së, që mendon se LDK-ja, si parti më e vogël që është, nuk mund ta shantazhojë atë të madhen.

Kundërpërgjigja vjen, nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është i bindur se pa LDK-në, nuk mund të ketë institucione të sigurta.
XS
SM
MD
LG