Ndërlidhjet

Gara për Gjakovën


Pamje nga Gjakova
Pamje nga Gjakova

Ringjallja ekonomike në Gjakovë, që dikur gëzonte namin e një qyteti industrial, është në fokus të kandidatëve që synojnë ta udhëheqin këtë komunë në katër vjetët e ardhshëm. Zhvillimi i bujqësisë, i ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore me Shqipërinë, janë ndër premtimet e kandidatëve kryesorë gjakovarë.


Gara e kandidatëve për kryetar të Gjakovës ka një të përbashkët - të gjithë duan t’ia kthejnë namin qytetit të dikurshëm industrial.

Një javë para zgjedhjeve lokale, Gjakova është e mbushur me pano dhe slogane të kandidatëve, që premtojnë punësim, zhvillim ekonomik dhe jetë më të mirë për më se 150 mijë banorët e kësaj komune.

Të përqendruar në shtabet e tyre zgjedhore në Çarshinë e Vjetër, kandidatët inkurajojnë gjakovarët që të hedhin votën më 15 nëntor, duke siguruar se qyteti do të shohë rezultate pozitive, meqë reforma e pushtetit lokal, u lë duar më të lira udhëheqësve komunalë, që të ndikojnë në zhvillimin lokal.

Ngadhënjyes ndaj kundër-kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e kaluara, kryetari aktual i Gjakovës, Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në fokus të programit të tij ka hapjen e 7 deri 10 mijë vendeve të reja të punës.

Nëse mbetet në pushtet, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, ai premton zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe atyre të mesme, duke ua hequr atyre pothuaj tërësisht taksat komunale.

“Mekanizmi i implementimit të kësaj strategjie është, sepse ne do të krijojmë një zyrë për zhvillim ekonomik. Ne do të bëjmë një buxhet prej dy milionë eurosh për çdo vit dhe marrëveshje me bankat”.

“Nëse një bankë jep kredi me interes prej 11 deri në 12 për qind, ne do ta zbresim atë në 9 për qind dhe do të jemi garantues të bizneseve fillestare. Kjo do të thotë se do të jetë një lehtësim mjaft i madh i tyre dhe për tri vjet do të lirohen nga të gjitha taksat, që janë në kompetencë të komunës
”, shprehet Lekaj.

Papunësia në komunën e Gjakovës vazhdon të jetë në nivel tejet të lartë. Platforma zgjedhore e kandidatit për kryetar të komunës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Vula, synon zhvillimin e atyre sektorëve, që do të krijonin vende të reja pune.

Sipas Vulës, kjo mund të arrihet në dy forma, duke zhvilluar bujqësinë në fshatra dhe duke i ndihmuar bizneset e vogla dhe ato të mesme në qytet.

“Si qytet i zhvilluar, dikur kishim 26 mijë të punësuar. Sot, realisht kemi 7 mijë e 200. Jemi shumë të vetëdijshëm se për të arritur atë nivel, nuk kemi shanse për pak vjet, por duhet të fillojmë me ato që janë të kapshme, të realizueshme, e ato do të jenë bizneset e vogla dhe të mesme, sidomos ekonomitë familjare”.

“Do t’i subvencionojmë, do t’u lutemi, që me ndihmën tonë fshatarët të ndërtojnë ferma. Kemi bërë programe se si t’i finalizojmë prodhimet e tyre, si të formojmë zinxhirin prodhues nga raca cilësore, sigurimin e ushqimit, sigurimin e plasmanit dhe tregut brenda dhe jashtë shtetit tonë”,
thekson Vula.

Votën e më se 90 mijë votuesve të Gjakovës synon në këtë garë zgjedhore edhe Mimoza Kusari-Lila, e cila përfaqëson koalicionin AKR-LDD (Aleanca Kosova e Re - Lidhja Demokratike e Kosovës).

Lila, e cila braktisi postin e drejtoreshës së Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë për të kandiduar në Gjakovë, synon, siç thotë, kthimin e jetës dhe shpresës në komunën e tretë për nga madhësia në Kosovë.

Këtë ajo mendon ta arrijë përmes ringjalljes ekonomike.

“Zhvillimi ekonomik së pari duhet të fokusohet në zgjidhjen e statusit të ndërmarrjeve aksionare të Gjakovës, në partneritetin publiko-privat. Komuna duhet të jetë partner në shumë iniciativa dhe të bëjë tërheqjen e investimeve dhe donacioneve për zhvillim në komunë”.

“Edhe bujqësia që është një segment i rëndësishëm, por jo i zhvilluar në këto 10 vjetët e pasluftës. Kemi programin, që me kreativitet do t’i shfrytëzojë potencialet ekonomike që i ka Gjakova dhe që janë të fjetura, si dhe t’i shfrytëzojmë resurset natyrore”,
thotë Lila, duke premtuar edhe shndërrimin e rrugës për në Shqipëri në një rrugë ekonomike.

Qytetarët, në anën tjetër, janë skeptikë se premtimet e kësaj fushate do t’i shohin të realizuara pas 15 nëntorit. Hysen Leti dëshiron punësimin e të rinjve, që, sipas tij, megjithëse me nivel të lartë arsimimi, vazhdojnë të enden rrugëve.

“Ne krejt e kemi shpresën në hapjen e vendeve të reja të punës. Djemtë e rinj kanë mbetur pa punë; kanë marrë diploma, por punë nuk ka, po kërkojnë t’i marrin rrugët e jashtme. Ai kandidat që kërkon të bëhet kryetar, po qe se nuk çel vende të punës, për ne nuk është i vlefshëm”, thekson Leti.

Ndërkaq, Valbona Pajaziti pret ndryshime në arsim.

“Presim reforma në arsim. Të kemi shpejt një objekt të ri të fakultetit. Punësim patjetër; punësim s’ka, krejt të rinjtë sillen rrugëve, është papunësi e madhe”, shprehet Pajaziti.

Qytetari Hilmi Këpuska është skeptik se premtimet e politikanëve do të realizohen.

“Çka mund të ndryshosh sot? A e dini se çka do të thotë globalizimi? Kurrgjë s’presim të ndryshojë”, thotë Këpuska.

Në zgjedhjet e kaluara lokale në Gjakovë kanë votuar rreth 32 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Më 2007 është dashur të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve, meqë kandidatët kryesore nuk morën votat e mjaftueshme.

Kësaj here, kandidatët, partitë e të cilëve kanë marrë më së shumti vota më 2007, shpresojnë në fitore pa balotazh.
XS
SM
MD
LG