Ndërlidhjet

Filluan ceremonitë për Rënien e Murit



Udhëheqës botërorë nga shumë vende po marrin pjesë në shënimin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Aktivitetet zyrtare kanë filluar me një ceremoni falje në një kishë në pjesën lindore të Berlinit, e cila kishte qenë qendër e aktiviteteve të opozitës.

Gjatë ditës, kancelarja Angela Merkel do të presë kryeministrin e Britanisë, Gordon Braun, presidentin francez, Nikola Sarkozi, atë rus Dimitri Medvedev dhe Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në Brandenburg Gate, vendi që dikur ndante Lindjen me Perëndimin.

Ish udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov, ish drejtuesi i lëvizjes antikomuniste në Poloni, Les Valesa dhe liderë të tjerë të asaj periudhe do të jenë të pranishëm në ceremonitë e sotme.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton gjatë ceremonive, mëngjesin e sotëm, deklaroi:

“Jam shumë e gëzuar që gjendem në Berlin për këtë ngjarje historike. Në qytetin që do të thoshte aq shumë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për evropianët, amerikanët dhe gjithë botën. Gjej rastin të uroj kancelaren jo vetëm për rastin e sotëm, por për punën që ajo dhe qeveria e saj po bëjnë”, tha Klinton.

Natën e 9 Nëntorit, pas disa javë protestash demokratike, autoritetet në Gjermaninë Lindore, në një gjendje konfuze deklaruan se kufiri mes Berlinit perëndimor e lindor ishte hapur.

Turma triumfuese gjermanolindorësh kapërcyen murin duke filluar ciklin e ngjarjeve që sollën në rënien e komunizmit.

Festimet në Berlin parashohin dhe rrëzimin e 1000 dominove gjigante, të vendosura në 1.5 kilometra, aty ku më parë ishte Muri i Berlinit.
XS
SM
MD
LG