Ndërlidhjet

Policia: Sulmohet me gurë eskorta e kryeministrit Thaçi


Autoritetet më të larta vendore kanë dënuar incidentin që ndodhi të mërkurën në Deçan, ku pas një tubimi parazgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet se “është sulmuar eskorta e kryetarit të kësaj partie, kryeministrit Hashim Thaçi”.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Shtëpinë e Kulturës në Deçan, një grup qytetarësh kanë sulmuar me gurë eskortën e kryeministrit. Policia ka arritur të arrestojë tre persona si të dyshuar të mundshëm, të involvuar në këtë rast, ndaj të cilëve është ngritur procedura hetimore.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka dënuar këtë akt dhe ka theksuar se “për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë krejtësisht të papranueshme veprimet që bien ndesh me ligjin, që cenojnë jetën apo sigurinë e të tjerëve”.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar sulmin, duke thënë se “ata që veprojnë me dhunë kundër demokracisë së Kosovës dhe institucioneve të saj përfaqësuese e dëmtojnë shtetin”.

Nga ana tjetër, shtabi zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka pohuar se “zyrtarë të lartë të PDK-së dhe kandidatë të saj për Asamblenë Komunale të Deçanit, kanë përdorur dhunë të shfrenuar ndaj disa gjimnazistëve deçanas, në sallën ku mbahej tubimi, në momentin kur ata kanë brohoritur për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin e partisë, Ramush Haradinaj”.

Në reagimin e Partisë Demokratike ndërkaq, për ngjarjen thuhet të jetë “nxitur dhe organizuar drejtpërdrejtë nga Ramush Haradinaj, duke përdorur edhe njerëz të inkriminuar dhe të ikur nga drejtësia; në Deçan u provua të përdhoset dhe të frikësohet vota e lirë e qytetarëve”.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka reaguar gjithashtu nëpërmjet një komunikate për opinion, duke thënë se “i sheh me shqetësim raportimet lidhur me incidentet e dhunshme përkitazi me aktivitetet e fushatës në komunën e Deçanit”.

“Incidentet e tilla, nëse konfirmohen, do të shëmtonin një sezonë fushate e cila ka qenë në masë të madhe pa dhunë. Dhuna nuk ka vend në fushata, zgjedhje, apo procesin demokratik. Pohimet lidhur me dhunën, të bëra nga një parti, assesi nuk i arsyetojnë përgjegjet e dhunshme nga të tjerët”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
XS
SM
MD
LG