Ndërlidhjet

Pieter Feith uron kosovarët për zgjedhjet lokale



Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith ka përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Uroj popullin e Kosovës për zhvillimin përgjithësisht të rregullt të zgjedhjeve lokale dhe për atmosferën e mirë dhe konstruktive që ka mbretëruar. Kjo e ndihmon Kosovën në tranzicionin e saj drejt një shoqërie shumetnike dhe në përpjekjen e saj për të sjellë qeverisje më efektive dhe më afër popullit", thuhet në letrën e përfaqësuesit të BE-së.

"Puna e zellshme që është bërë deri më tani nga autoritetet e Kosovës, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të cilat këto ishin zgjedhjet e para për të cilat ato kanë pasur përgjegjësinë e plotë, si dhe përkushtimi dhe angazhimi rrënjësor i shoqërisë civile në vëzhgim ishin thelbësore për këtë rezultat pozitiv. Secila ankesë do të trajtohet nga institucionet përkatëse në Kosovë, në veçanti nga Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) konform kornizës ligjore në fuqi", thuhet në njoftim.

Në vazhdim, komunikata thotë se "pjesëmarrja përgjithësisht e mirë në këto zgjedhje, përfshirë komunat e reja dhe nga radhët komunitetit serb të Kosovës, tregon se ka vullnet në mesin e të gjitha komuniteteve për ta marrë të ardhmen në duart e tyre dhe për ta ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në Kosovë".

"Këto zgjedhje lokale paraqesin një hap thelbësor në angazhimin e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe stabile, duke kontribuar në bashkëpunimin rajonal drejt avancimit të mëtejmë të perspektivës evropiane si pjesë e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë.
XS
SM
MD
LG