Ndërlidhjet

Kush humbi dhe kush fitoi?


Gjatë numërimit të votave, 16 nëntor 2009.
Gjatë numërimit të votave, 16 nëntor 2009.

Rezultati preliminar i zgjedhjeve lokale ka bërë që asnjëri nga subjektet e mëdha politike të mos e shohë veten si humbës. Por, ata kanë mendime të ndryshme për rikonfigurimin e skenës politike.



Subjektet më të mëdha politike të Kosovës e shohin veten si fituese në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, edhe pse përqindja e fitoreve të partive politike në nivelin nacional nuk është shpallur ende.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson si fitore për Kosovën pjesëmarrjen dhe procesin e rregullt në votime. Sa për vetë subjektin, përmes zëdhënësit Blerand Stavileci, PDK-ja shprehet e kënaqur.

“Përveçse u dëshmuam dhe u rikonfirmuam në 18 komuna që ishin në qeverisjen e PDK-së në nivelin komunal, ne tani jemi të pranishëm dhe në tri komuna të tjera”, thotë Stavileci.

Partneri i PDK-së në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka pritur të ketë rezultat më të mirë në disa komuna. Megjithatë, edhe LDK-ja, sipas zëdhënësit Vehbi Miftari, është fituese.

“Konsiderojmë se zgjedhjet kanë rikonfirmuar konceptin politik të LDK-së dhe atë që është vlerë tradicionale e saj - konceptin qytetar, elitar dhe intelektual të saj. Ka disa rezultate në disa komuna që nuk janë shumë të favorshme për ne, por ka një rritje të mbështetjes së elektoratit në planin nacional”,
shprehet Miftari.

Në zgjedhjet e së dielës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi në raundin e parë 4 komuna të Kosovës. Por, nuk janë komunat, sa është përqindja në planin nacional ajo që bën këtë parti ta ndjejë veten fituese. Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, shpjegon:

“AAK-ja është fituesja e këtyre zgjedhjeve, sepse është partia e vetme që është rritur 100 % me votë të përgjithshme dhe me përqindje dhe është pikërisht ajo që e kemi pritur”.

Shpjegim pak a shumë të ngjashëm me subjektet politike japin edhe analistët politikë. Driton Lajci, përveç rritjes së AAK-së, e sheh një përsëritje të zgjedhjeve të vitit 2007.

“PDK-ja vazhdon të mbetet fituese e zgjedhjeve në Kosovë. Ndërsa, AAK-ja e ka thyer atë rrethin vicioz të të qenët parti rajonale, parti krahinore, sepse ka depërtuar në pjesë tjera gjeografike të Kosovës. Humbës, por jo shumë i madh, kësaj radhe është LDK, që ka humbur dy-tri komuna që i ka pasur nga zgjedhjet e kaluara”, thotë Lajçi.

Ndërkohë, ka zëra që thonë se epilogu i këtyre zgjedhjeve do të ndryshojë edhe konfigurimin e skenës politike. Për këtë është i bindur Burim Ramadani.

“Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen menjëherë në 6 muajt e ardhshëm, për shkak të humbjes së legjitimitetit apo për shkak të ndryshimit të konfiguracionit politik në Kosovë”, thekson Ramadani.

Rikonfigurim të vazhdueshëm sheh Vehbi Miftari i LDK-së. Por, kjo gjë nuk do të cenojë, sipas tij, koalicionin aktual mes PDK-së dhe LDK-së.

“Rikonfigurimi i skenës politike ka ndodhur edhe para zgjedhjeve dhe do të vazhdojë edhe pas tyre. Por, nuk duhet të ndërlidhen domosdo rezultatet e zgjedhjeve lokale me nivelin qendror”, shprehet Miftari.

PDK-ja mbetet e bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Blerand Stavileci thotë se kritikat e partnerëve të koalicionit kundër njëri-tjetrit nuk do të ndikojnë në nivelin qendror.

“Mbetet legjitim vendimi i presidentit për zgjedhjet parlamentare. Koalicioni do të vazhdojë të punojë në mënyrë stabile dhe në mënyrë funksionale”, shpreh bindjen Stavileci.

Në anën tjetër, Driton Lajçi nuk mendon se ka kërkesa dhe se është në interes të Kosovës ndryshimi i skenës politike në nivelin qendror.

“S’ka as kërkesa të çastit e as rezultate të jashtëzakonshme, në mënyrë që të ngrihet si çështje shqyrtimi i koalicionit aktual”, thotë Lajçi.

Megjithatë, analistë tjerë politikë mendojnë se të dyja partitë në pushtet, pas akuzave kundër njëra-tjetrës në fushatë, tani duhet të rimendojnë strategjinë e tyre për qeverinë qendrore, nëse duhet të vazhdojnë të jenë në koalicion, apo të dyja duhet ta shohin fatin ndaras.
XS
SM
MD
LG