Ndërlidhjet

Serbët bëhen gati për balotazh


Graçanica
Graçanica

Kandidatët shqiptarë dhe ata serbë garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Novobërdën dhe Shtërpcën. Shkaku i pjesëmarrjes së ultë të serbëve në zgjedhjet e 15 nëntorit, partitë shqiptare kanë marrë shumicën në kuvendet komunale.


Më 13 dhjetor votuesit e Shtërpcës dhe Novobërdës do të vendosin nëse në krye të komunave të tyre për katër vjetët e ardhshëm do të jetë kandidati shqiptar apo ai serb.

Të dy këto komuna janë të banuara me shumicë serbe. Por, pjesëmarrja e ultë e serbëve në zgjedhjet e 15 nëntorit ka bërë që partitë shqiptare t’i udhëheqin Asambletë Komunale.

Politikanët serbë druajnë se nëse edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve, do të ketë pjesëmarrje të vogël të votuesve serbë, në krye të komunave do të jenë përfaqësuesit shqiptarë.

Bratislav Nikoliq, kandidat i Partisë së Pavarur Liberale për kryetar të komunës së Shtërpcës, shkon në balotazh. Rival i tij do të jetë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Beqir Fejzullahu.

Nikoliq thekson rëndësinë e votave të serbëve nga Shtërpca.

“Sa i përket Shtërpcës, është e rëndësishme që serbët kanë kandidatin e vet në rrethin e dytë dhe me këtë do të rritet vetëdijesimi sa i përket popullatës serbe të Shtërpcës. Është shumë me rëndësi për qytetarët e komunës që të kenë kandidatin e tyre në raundin e dytë. Mendoj se sa më i madh që të jetë numri i votuesve serbë, aq më domethënës do të jetë”,
thotë Nikoliq.

Ai thekson se është e domosdoshme që serbët t’i kenë përfaqësuesit e tyre në qeveritë lokale.

“Zgjedhjet sjellin përfaqësuesit legjitimë në institucionet e Kosovës në qeverisjen lokale. Komuna e Shtërpcës është komuna e parë multietnike në periudhën e pasluftës dhe ky është tregues se si multietniciteti mund të funksionojë në Kosovë. Mendoj se edhe pas zgjedhjeve komuna do të jetë multietnike”, shprehet Nikoliq.

Në Novobërdë kandidati serb për kryetar të komunës, Radovan Deniq nga Partia Socialdemokrate dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Ymeri, shkojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Nëse dalja e votuesve serbë do të jetë e ulët, serbët mund ta humbasin pushtetin edhe në këtë komunë. Srgjan Jovanoviq ka qenë kandidat i Partisë së Pavarur Liberale në Novobërdë.

Ai thotë se në raundin e parë kanë votuar rreth 15 për qind, duke lënë të kuptojë se serbët vështirë se do ta marrin komunën, ku përbëjnë 60 për qind të banorëve.

“Serbët e kanë humbur shansin në raundin e parë, pasi që as në raundin e parë nuk kemi mundur t’i nxisim të votojnë më shumë se 15 për qind të votuesve. Dyshoj se kandidati i komunitetit tonë do të mund të fitojë në raundin e dytë. Kemi humbur shansin që ta udhëheqim komunën në katër vjetët e ardhshëm”, thotë Jovanoviq.

Vlerësohet se dalja në numër të vogël e serbëve në zgjedhje është rezultat i presionit të qeverisë së Beogradit. Vazhdimi i bojkotit çon në humbjen e pushtetit nga ana e serbëve në vendet ku ata janë shumicë.

Jovanoviq tërheq vërejtjen se një qëndrim i tillë mund të vërë në pikëpyetje edhe mbetjen e serbëve në Kosovë.

“Njerëzit që i kanë kërcënuar banorët lokalë se do të sanksionohen nga shteti i Serbisë, kanë arritur maksimumin dhe kanë punuar në interes të komunitetit shqiptar. Por, unë i kuptoj, pasi që 90 për qind e serbëve jetojnë nga ndihmat e Serbisë".

"Por, tash shtrohet pyetja nëse ata politikanë që kanë punuar në terren për të zbatuar qëndrimin e Serbisë, kanë legjitimitet? Nëse ata mund ta përfaqësojnë komunitetin serb, me presionin e tyre ndaj serbëve për të mos dalë në zgjedhje, kanë përkeqësuar mbetjen e serbëve në këto hapësira”,
shpjegon Jovanoviq.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Partia e Pavarur Liberale, partia e komunitetit serb, që merr pjesë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës ka marrë shumicën në tri komuna me shumicë serbe.

Kandidatët e saj kanë fituar në dy komuna me shumicë serbe në Kllokot dhe në Graçanicë. Ndërsa, në komunën e re të Ranillugut ka fituar kandidati serb nga Iniciativa Qytetare për Komunën e Ranillugut.
XS
SM
MD
LG