Ndërlidhjet

Vazhdojnë sprovat


Ndërtesa e Parlamentit,Prishtinë
Ndërtesa e Parlamentit,Prishtinë

Pavarësisht mbështetjes fillestare, të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetë të kësaj partie kushtëzojnë miratimin e projekt-buxhetit të paraqitur nga qeveria me kalimin e ligjit për kryeqytetin. Kjo shihet si një sprovë tjetër e koalicionit PDK-LDK.



Megjithëse Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështeti në parim projektbuxhetin e vitit 2010, të paraqitur nga kryeministri Hashim Thaçi, miratimi i plotë i tij, është vënë në pikëpyetje nga partneri i koalicionit qeveritar.

Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, kushtëzoi miratimin e projektligjit për buxhetin, me kalimin e Ligjit për kryeqytetin, ligj ky i cili ka qenë temë debatesh gjatë fushatës parazgjedhore të LDK-së.

“Ligji duhet të hyjë në procedurë. Unë e njoh Parlamentin, sepse jam parlamentar i vjetër këtu, i njoh procedurat; unë e di, që ai ligj pa dy muaj nuk kalon. Unë thashë të niset procedura”.

“Ligji duhet të kalojë dhe kjo është domosdo. Dhe, këtu unë për vete nuk heq dorë”, tha Hamiti dhe vuri në pah se është qëndrim unik i Grupit Parlamentar të LDK-së, që këtë dhe propozimet tjera t’i shtrojë në formë amendamentesh për projektligjin e buxhetit.

Me Ligjin për kryeqytetin, Prishtina, që drejtohet nga LDK-ja, ndër të tjera, do të merrte më shumë buxhet, sesa që i ndahet me planifikimet aktuale për vitin fiskal 2010.

Kushtëzimi i LDK-së, vjen pak ditë pasi që jetëgjatësia e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u vu seriozisht në pikëpyetje.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili mbrëmjen e së enjtes i kishte komunikuar homologut nga LDK-ja, Ramë Manajt, prishjen e koalicionit me LDK-në dhe lidhjen me LDD-AKR-në (Lidhja Demokratike e Dardanisë –Aleanca Kosova e Re), të hënën tha se më, as që duhet vënë në dyshim stabilitetin e koalicionit qeverisës.

“Unë besoj se më nuk do të jetë temë çështja e stabilitetit të koalicionit. Ka pasur konsultime, ka pasur risqarim të pozicioneve dhe gjërat po ecin ashtu si duhet”, tha Kuçi.

Megjithatë, kushtëzimet e LDK-së nuk i kanë pëlqyer kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili, po ashtu, është nga radhët e PDK-së.

“Kushtëzimi me Prishtinën. Mendoj se askush nga ne nuk mund të themi se Prishtina është më pak, apo më shumë imja”.

“Kosova është tepër e vogël që ne të mendojmë se dikush është i Prishtinës, e dikush më pak i Prishtinës. Prandaj, nuk e shoh të arsyeshme, që dikush në këtë Kuvend bëhet më i zëshëm për kryeqytetin tonë",
tha Krasniqi.

Këtij komenti të Krasniqit, i paraprinë vërejtjet e mëhershme të deputetëve, madje edhe të partnerit të koalicionit, të cilët kërkuan ndarje proporcionale të buxhetit.

Deputeti Naser Osmani duke paraqitur qëndrimin e LDK-së, tha se janë favorizuar ministritë që drejtohen nga PDK-ja.

“Do të dëshiroja që qeveria të jetë e bindur, që ky buxhet u përket të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mbi bazë të kësaj, të kemi një buxhet aq sa është e mundur proporcional në të gjithë Kosovën”.

“Kjo nuk ka ndodhur, veçanërisht me dy ministritë, që kanë shuma më të mëdha të investimeve kapitale. Fjala është për Ministrinë e rrugës dhe atë të Arsimit”,
tha Osmani.

Sidoqoftë, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se buxheti është i të gjithëve dhe në shërbim të të gjithëve.

“Ky është buxhet i zhvillimit ekonomik, i vazhdimit të reformave dhe integrimit evropian. Në këtë kohë, kur bota po ballafaqohet me efektet e krizës ekonomike globale, ne presim, që ekonomia jonë gjatë vitit 2010 të shënojë një rritje, që paraqet një sukses të konsiderueshëm”, tha Thaçi.

Buxheti për këtë vit do të jetë 1 miliard e 461 milionë euro dhe paraqet një rritje prej 6 për qind, krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, theksoi se planifikimi i buxhetit për vitin fiskal 2010 mund të quhet ambicioz, meqë tejkalon nivelin e të hyrave të rregullta.

Përfaqësues të opozitës, duke paraqitur vërejtjet e tyre për mënyrën e planifikimit të buxhetit, thanë se nuk do ta votojnë atë.

Seanca e së hënës ishte vazhdim i seancës së të premtes së kaluar, e cila u ndërpre, meqë u tha se grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së kërkonin kohë më shumë për të shqyrtuar projektbuxhetin.

Por, këtë shtyrje analistët e panë si blerje të kohës për të zbutur tensionet e rritura pas njoftimeve për prishjen eventuale të koalicionit PDK-LDK.

Kryesitë e të dy partive në mesditën e së premtes patën rikonfirmuar vazhdimin e koalicionit PDK-LDK.

XS
SM
MD
LG