Presidenti Obama ka urdhëruar zbatimin e strategjisë së re për Afganistanin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se Obama zhvilloi një takim të paparalajmëruar, për t’i paraqitur propozimin e tij përfundimtar për strategjinë e re, me Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts dhe këshilltarin për siguri kombëtare Xhejms Xhons.
Mësohet se presidenti amerikan ka informuar për strategjinë e re edhe një numër ushtarakësh të lartë, përfshi shefin e shtabit të përgjithshëm gjeneralin Majk Mullen dhe gjeneralin Dejvid Petreus.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Gibs ka bërë të ditur se Obama ka kontaktuar me presidentin francez Nikola Sarkozi për strategjinë e tij. Më vonë ai do të flasë dhe me kryeministrin britanik Gordon Braun dhe presidentin rus, Dimitri Medvedev.
Pritet që nesër Obama të flasë publikisht për dërgimin e mijëra trupave shtesë në Afganistan.