Kreu i NATO-s tha se pret që vendet anëtare të Aleancës të ofrojnë së paku 5000 trupa shtesë për misionin në Afganistan. Deklarata e Anders Fogh Rasmusen u bë pas vendimit të SHBA-ve për të dërguar 30 mijë trupa shtesë në Afganistan.
Aktualisht nën komandën e NATO-s janë rreth 110 mijë trupa të huaja në Afganistan, 70 mijë prej të cilave janë amerikane. Kontigjenti i ri i ushtarëve amerikanë do ta çojë në 140 mijë numrin e ushtarëve të huaj në misionin në Afganistan.
Nga ana tjetër presidenti francez Nikola Sarkozi përmes një deklarate mirëpriti vendimin e Obamas për të dërguar trupa shtesë në Afganistan. Sarkozi megjithatë nuk morri asnjë angazhim për të rritur praninë franceze në këtë mision. Franca ka aktualisht 3400 trupa në Afganistan.