Ndërlidhjet

KQZ: U shpallën rezultatet përfundimtare për 18 komuna


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk ka diskutuar, ashtu siç paralajmëroi ditë më parë, mbi të ashtuquajturin planin operativ për përgatitjen e rivotimit në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit.

Në mbledhjen e radhës së KQZ-së, pika e vetme e rendit të ditës, ishte shpallja e rezultateve përfundimtare nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna.

Sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës, ka fituar në 8 komuna, përkatësisht në Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Rahovec, Vushtrri dhe Malishevë.

Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq, kanë fituar në 5 komuna: Istog, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq dhe Podujevë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës radhitet e treta me fitore në Pejë, Suharekë dhe Junik.

Në Shtërpce u konfirmua vlerësimi preliminar duke e shpallur fitues kandidatin nga Partia Liberale Serbe, sikurse në Han të Elezit, ku përfundimisht shpallet fitues kandidati i pavarur, Refki Suma.

Mbledhja e ardhshme e KQZ-së u caktua të mbahet ditën e hënë.
XS
SM
MD
LG