Irani paralajmëroi se do të prodhojë më shumë karburant të pasuruar në shkallë të lartë, nëse nuk do të merret vesh me Perëndimin që ta furnizojë me material për reaktorin e kërkimeve mjekësore në Teheran.
Ministri i Jashtëm, Manuçer Motaki i tha sot televizionit shtetëror se Perëndimi duhet “të marrë vendim” për kundër-propozimin e Iranit që ose t’i shesë Teheranit karburant të pasuruar në shkallën 20 %, ose ta këmbejë për një pjesë të stoqeve aktuale iraniane të uraniumit të pasuruar në shkallën e ulët.
Ai tha se bashkësisë ndërkombëtare “i ka mbetur një muaj” që të vendosë.
Më herët, Irani e hodhi poshtë afatin e Kombeve të Bashkuara, i cili skadonte në vitin 2009, që uraniumin ta këmbejë për karburant bërthamor, duke thënë se Perëndimi ka vendosur shumë kushte.